Përballë AKI-së e në hyrje të Prishtinës – Si bën biznes milioneri Habib Morina në tokë të shtetit me 500 euro qira

 

 

Biznesin e ka në hyrje të Prishtinës. E ka bash përballë Agjencisë Kosovare për Inteligjencë. Shet naftë e ka restorant. Krejt këtë afarizëm biznesmeni Habib Morina nga Malisheva, pronar i firmës së karburanteve “Patroni” po bën në tokë të shtetit e për të paguan veç 500 euro qira në muaj.

Ishte dita e parë e vitit 2018 kur biznesmeni nga Malisheva, Habib Morina kishte lidhur kontratë me Ministrinë e Bujqësisë. Në shfrytëzim mori 25 ari tokë të shtetit, e për secilin do të paguaj vetëm 20 euro qira në muaj.

Për këtë hise toke, që është në hyrje të Kryeqytetit e përballë Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Morina, pronari i firmës së për shitjen e karburanteve “Patroni”, për çdo muaj paguan veç 500 euro.
500 euro i paguan ani pse pos pikës së karburantit, aty ka hapur edhe një restorant.

Në vitin 2018 Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ishte Nenad Rikalo. Sivjet, për funksionin e tij në këtë Ministri, Rikalo nga Gjykata Themelore në Prishtinë është shpallur fajtor dhe është dënuar me 3 vjet burgim efektiv për korrupsion.

Gazeta  e ka pyetur kompaninë “Patroni” dhe pronarin e saj, Habib Morina se si erdhi deri të sigurimi i kontratës me Ministrinë e Bujqësisë për këtë hise toke të shtetit, dhe se nëse ka pasur konkurs publik, apo se si është përzgjedhur bash ky pozicion, por as pas shumë javësh pritjeje, ata nuk kanë pranuar që të komentojnë.

As “Patroni” e as biznesmeni Morina nuk kanë pranuar që të komentojnë për faktin që biznesi i tyre gjendet përballë AKI-së, dhe mbi shqetësimin që ka ngritur ministri aktual i Bujqësisë, Faton Peci për mundësinë e cenimit të aktiviteteve dhe burimeve të këtij institucioni.

“Është njëri prej rasteve eklatante që po merrem unë si Ministër, e ndoshta nuk ish dashur që të merrem unë si Ministër i Bujqësisë. Por, për mua është e pashpjegueshme se si në pronën e Ministrisë së Bujqësisë në një lartësi jo më shumë se sa 150 metra ku qëndron objekti i AKI-së vendoset një pompë benzine e në të cilën, përmes atij mekanizmi, mundësia e përgjimeve, por edhe vrojtimit të secilit punonjës oshe bashkëpunëtor të AKI-së, mund të vrojtohet me lehtësi”, ka thënë ai në një intervistë për Fakte+.

Peci ka thënë që ka kërkuar nga mekanizmat e drejtësisë që një afarizëm i tillë që sipas tij e rrezikon funksionimin e punën e AKi-së, dhe rrjedhimisht sigurisë kombëtare- të mos vazhdoi të funksionoi aty.

Sipas të dhënave të ofruara në raportin e terrenit nga Ministria e Bujqësisë, dokument një kopje të së cilit e ka Gazeta Insajderi, kjo pikë e karburantit e “Patroni” ka kontratë me 500 euro në muaj që nga 1 janari 2018, por në një prononcim të më hershëm biznesmeni Habib Morina pati konfirmuar që me Ministrinë në fjalë ka kontratë që nga vitit 2013.

Gjatë vizitës është konstatuar se kompania në fjalë zhvillon aktivitetin e vet si Pompë e derivateve të naftës, ku përpos rezervuarëve dhe mbulojës ka të ndërtuar edhe një objekt me sipërfaqe rreth 370m² që e përdor si Restorant dhe depo. Tek kjo kompani e tërë sipërfaqja shfrytëzohet nga vet kompania”, bëhet me dije në raportin e Ministrisë së Bujqësisë.

InDoks, prodhim i Insajderit, muaj më parë kishte transmetuar dokumentarin “Dosja Stankaj”, ku me pamje, rrëfime e dokumente ekskluzive ishte shpërfaqur se si kishte lulëzuar biznesi gjithandej vendit në tokat e shtetit. Në disa raste me kontrata qiraje krejt të lira, e në disa raste edhe duke uzurpuar tokën e shtetit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d