Një skemë mashtrimi me qëllim përfitimin e kundërligjshëm përmes disa mesazheve që po iu dërgohen qytetarëve së fundmi ka ngritur shqetësim të madh. Shumë prej tyre, kanë rënë pre e mashtruesve, të cilët arritën që në emër të ‘Postës së Kosovës’ të kapin para edhe me mijëra euro.
Mesazhi që po shkon qytetarëve u publikua mbrëmë edhe nga Posta e Kosovës, ku u kërkua kujdes dhe u bë e ditur se organet e rendit tashmë janë vënë janë dijeni për rastin.
Gazeta ka kontaktuar Policinë e Kosovës për të marrë një përgjigje nëse kanë nisur hetimet, ndërkohë që në adresë të redaksisë, janë paraqitur plot qytetarë, të cilët e kanë denoncuar mashtrimin.
Njëri prej tyre ka bërë të ditur se pasi ka pranuar këtë mesazh, ka ndjekur hapat siç është kërkuar dhe brenda 5 minutave, e ka kuptuar se nga llogaria bankare i janë marrë mbi 2 mijë euro. Edhe një qytetar tjetër ka treguar për Sinjalin se si i humbi 200 euro nga llogaria, pasi ra pre e mesazhit që i shkoi në numrin e tij kontaktues.
Personat e përfshirë në këtë skemë siç duket janë kujdesur në detaje që të mos zbulohen, duke përdorur emrin e Postës, llogon dhe një link si “kosovaposta.com”.
“Posta e Kosovës: Pakoja juaj ka mbërritur në depon tonë. Nuk mund të dorëzojmë sepse informacioni i adresës është i pasaktë. Ne do të dorëzojmë brenda 12 orëve pasi të keni future informacionin e saktë.
(Përgjigjuni Y, më pas dilni nga SMS dhe hapeni sërish për ta aktivizuar lidhjen ose kopjoni lidhjen dhe hapeni në shfletuesin tuaj)”. – ky është mesazhi që po iu dërgohet qytetarëve, në të cilin është i bashkëngjitur edhe linku.
Shënim: Në Gazetën mund t’i denonconi rastet, nëse keni rënë pre e këtij mashtrimi.