Pensionohet prokurorja Drita Hajdari, njëra prej fytyrave më të ndritshme të drejtësisë kosovare

 

 

Më 13 dhjetor të këtij viti do të pensionohet Drita Hajdari, një prej prokuroreve më të suksesshme në Kosovë. Hajdari, në një konferencë për media të premten, bëri të ditur se do të pensionohet të mërkurën e javës së ardhshme.

Në këtë rast, prokurorja e cila ndërtoi aktakuzën për Masakrën e Mejës, tha se nuk do ta përfaqësojë në gjykatë këtë aktakuzë. Tha se rasti i është transferuar prokurorit special Ilir Morina.

“Unë nuk do ta përfaqësoj këtë rast sepse unë më 13 dhjetor do të pensionohem, dhe rastin në gjykatë do ta përfaqësojë prokurori Ilir Morina”, ka thënë Hajdari.

Kush është Drita Hajdari?

Drita Hajdari ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universiteti të Prishtinës në vitin 1983. Një vit pas diplomimit, ajo fillimisht ka filluar të punonte si gjyqtare deri në vitin 1990 kur filloi kriza në ish-Jugosllavi.

Menjëherë pas luftës në Kosovë, Hajdari u emërua prokurore, në kohën kur i tërë sistemi i drejtësisë administrohej prej Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Që nga viti 2013, ajo u emërua prokurore speciale në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

SI prokurore speciale, Drita Hajdari ka hetuar dhe ndjekur penalisht çështjet më sfiduese dhe problematike të Kosovës.

Prokurorja Drita Hajdari ishte caktuar në Departamentin për krime lufte në Prokurorinë Speciale. Këtë përgjegjësi e kishte marrë vullnetarisht pas dështimit për disa muaj për t’i zgjedhur tre prokurorë në kuadër të këtij departamenti.

Hajdari do të mbahet mend si prokurorja e cila ngriti aktakuzën e parë për krime lufte kundër një politikani të lartë në Kosovë, duke thyer mitin e komandantëve të paprekshëm nga prokurorët vendës.

Para tetë vitesh, më 2016, ajo hapi një rast të krimeve të luftës që përfshinte gjithë kreun e UÇK-së.

Prokurorja Hajdari hetoi vrasjen e dy civilëve shqiptarë më 2 tetor 1998 në rajonin e Malishevës. Vrasjen e tyre, sipas aktakuzës, e kishte kryer UÇK-ja. Përgjegjësinë e kishte marrë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Ngriti aktakuzë kundër Fatmir Limajt, ish -komandant i Brigadës 121.

Prokurorja Hajdari kishte ngritur ndjekur penalisht ish-ministrat Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri. Të dy ishin shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ajo kishte ngritur aktakuzë edhe për ndërtimet e egra dhe degradimin e Prishtinës kundër dhjetë inspektorëve komunalë.

Së fundmi, Hajdari hetoi rastin e Mejës, masakrës më të madhe të luftës në Kosovë. Në aktakuzën për këtë masakër përfshihen 53 persona./Prishtina Sot/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d