PDK-ja kërkon zgjedhje sa më parë, LDK-ja insiston në dorëheqjen e Kurtit

Opozita assesi nuk po mund të gjeje pajtim për mënyrën se si duhet shkuar në zgjedhje. Derisa partia me e madhe opozitare PDK-ja kërkon shpërndarjen e Kuvendit, LDK-ja po kërkon dorëheqjen e Qeverisë, e AAK-ja mocion mosbesimi.

Partitë opozitare e kanë të përbashkët mendimin lidhur me performancën e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, por janë të ndara në mënyrën se si e shohin rrëzimin e tij nga pushteti.

Për Partinë Demokratike, matematika është e thjeshtë, me që sipas tyre, qeverisja nuk është e mirë, atëherë duhet shkuar në zgjedhje sa më parë.

“Kjo duhet të jetë një agjendë e jona e përbashkët, me që ne të gjithë po pajtohemi që kjo qeveri është e gabuar, që vendi nuk është në drejtimin e duhur. Atëherë, mënyra e vetme për t’i dhënë Kosovës një alternativë të re, është për të shkuar në zgjedhje dhe duke i fituar ato. Ne nuk kemi shtiza për kolegët tanë në opozitë”, ka deklaruar Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së.

E në Lidhjen Demokratike kërkojnë kujdes në rendimin e veprimeve politike opozitare, pasi sipas tyre, qeveria së pari duhet dorëhequr që të mos amnistohet për keqqeverisje.

“Dorëheqje, pastaj shpërbërje e pastaj zgjedhje është ai rendi i cili i jep përgjigje keqqeverisjes, i jep përgjigje këtyre gjërave negative në çdo sferë. I jep përgjigje çdo skandali diplomatik e politik të kësaj qeverie, i jep përgjigje çdo dështimi, siç ishte rasti me Këshillin e Evropës. Pra, nuk e amniston këtë qeveri nga bilanci jashtëzakonisht negativ i tre vjetëve të fundit”, ka thënë Berat Rukiqi, anëtar i Kryesisë së LDK-së.

As në Aleancë nuk pajtohen që të shpërndahet Kuvendi, por të shkarkohet qeveria.

“Secila jemi parti në veti dhe rezonojmë në formën që ne dëshirojmë me pas. Aleanca ka qenë e para që ka kërkuar mocion mosbesimi për qeverinë dhe jo shpërndarjen e Kuvendit. Ne ende qëndrojmë në atë. Nuk është e drejtë që të shpërndahet Kuvendi, ndërkaq të ngelet qeveria e cila ka performancën më të keqe të mundshme dhe që i ka sjell dëme më të mëdha Kosovës”, është shprehur Time Kadrijaj, deputete e AAK-së.

Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi të premten iu drejtua partive opozitare në thirrje për unifikim drejt shpërndarjes së Kuvendit, por LDK-ja e AAK-ja iu përgjigjën negativisht ftesës.

Krasniqi paraprakisht ka mbajtur një takim edhe me kryeministrin Kurti, ku kanë diskutuar mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d