Patentë shoferin e konfiskuar, i riu në Prishtinë kërcënon Policinë që vendosën t’ia konfiskojnë edhe veturën

 

 

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze që eskalojnë, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Ndër motivet më të shpeshta janë pakënaqësitë e shoferëve për shqiptimin e gjobave pas thyerjes së rregullave në trafik.

Për rastin që ndodhi së fundmi në kryeqytet, Policia arrestoi një 34-vjeçar, i cili përfundoi në ndalim policor.

Gazeta mëson se i dyshuari është kapur me policët pasi e ndalën për kontroll në rrugën “Lidhja e Pejës”, ku gjatë verifikimit rezultoi se shoferi po voziste pa patentë shoferë.

I njëjti edhe pse e kishte patentën e konfiskuar po lëvizte me veturën e tij, për çka Policia vendosi t’ia konfiskojë edhe automjetin.

Por, zyrtarët policorë u përballën me ofendime e kanosje nga i dyshuari, i cili për pasojë u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor.

Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i njëjti të dërgohet në mbajtje.

Me vendim të tij, ndaj 34-vjeçarit është iniciuar rasti për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje ndaj personit zyrtar’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d