Pas gati 6 vjetëve, FSK-ja pritet të furnizohet me uniforma

 

 

Pas gati gjashtë vjetëve, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë do të furnizohen me uniforma. Megjithatë, nuk dihet sasia e uniformave e as vlera e kontratës.

“Është nënshkruar kontrata e re dhe tashmë uniforma janë duke u prodhuar. Është kontratë e klasifikuar, blerje të përjashtuara sipas ligjit të prokurimit”, deklaroi Liridona Gashu nga Ministria e Mbrojtjes.

Teksa nuk dihet asgjë për kontratën e re, 5 milionë euro ishin destinuar për uniforma kamuflazh dhe rezistente ndaj ujit e erës. Mirëpo, tenderi i hapur në vitin 2022, kishte dështuar. Ndërkaq, furnizimi i fundit me uniforma rezistente ndaj ujit dhe erës, sipas njoftimit në platformën e-prokurimi ishte bërë në fund të vitit 2018.

Andaj, ushtarët e Forcës së Sigurisë, aktualisht detyrohen t’i bartin uniformat e shqyera.

Disa prej tyre edhe i kanë qepur në mënyrë që t’i përdorin përsëri.

Televizioni, kupton se muaj më parë secilit ushtarakë që mund t’i ketë një apo dy palë uniforma tjera rezervë, i është kërkuar që ato t’i kthejë mbrapa FSK-së, njërën. Ministria e Mbrojtjes e mohoi që një kërkesë e tillë ishte bërë për shkak të mungesës së uniformave.

Ish-koloneli Afrim Veseli, tha se që nga themelimi i Forcës së Sigurisë, pajisja me uniforma ka qenë gjithmonë problematike.

“Është fatkeqësi e madhe qysh ushtarët janë në ketë gjendje. Gjatë gjithë kohës sa kam shërbyer, uniforma ka qenë gjithmonë problematike. Materiali ka qene i dobët dhe furnizimi asnjëherë nuk është bërë me kohë” , thotë Veseli.

Ndërkohë, pas dështimeve të shpeshta të tenderit 2 milionësh për furnizim me çizme, Ministria e Mbrojtjes në mënyre urgjente ka blerë vetëm 330 palë çizme në fund të vitit të kaluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d