Parlamenti i Sllovenisë do të diskutojë sot në një seancë urgjente propozimin e qeverisë për njohjen e shtetit të Palestinës, por nuk do ta votojë siç ishte planifikuar më parë, për shkak të thirrjes së Partisë Demokratike Sllovene (SDS) për të mbajtur referendum konsultativ për këtë çështje.
Të enjten, qeveria sllovene i dërgoi parlamentit një propozim për njohjen e shtetit të Palestinës dhe kryeministri i saj, Robert Golob deklaroi se ai do të njihej sipas kufijve të vitit 1967 ose sipas kufijve që do të biheshin dakord në një marrëveshje paqeje në të ardhmen, shkruan STA.
Ndërsa tri partitë nga koalicioni qeverisës deklaruan se njohja e Palestinës është mënyra e vetme e duhur për të mbështetur paqen, opozita SDS dhe Sllovenia e Re (NS) pretendojnë se kjo është një lëvizje fushate përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian.
Të hënën, SDS paraqiti një kërkesë për mbajtjen e një referendumi konsultativ për njohjen e Palestinës, duke pretenduar se përfundimi i qeverisë për njohjen i shkakton dëm afatgjatë Sllovenisë, sepse, siç u tha, “i jep mbështetje organizatës terroriste Hamas”.
Referendumi nuk ka gjasa të ndalojë njohjen e Palestinës, sepse koalicioni qeverisës ka shumicën në parlament, por do ta shtyjë atë me të paktën 30 ditë.