Dje rreth orës 15:30, në rrugën Dobrosinë-Gjilan, njësia e Task Forcës është informuar se janë vërejtur dy automjete me targa serbe duke hyrë ilegalisht nga Serbia në Kosovë.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se zyrtarët e Task Forcës, kanë njoftuar edhe njësitet tjera përfshirë ato të doganës dhe rreth 16:45, në Graçanicë automjetet që dyshohej se me to po kryhej kontrabandë me mallra, janë sinjalizuar për ndalje nga zyrtarë të Doganës së Kosovës.
“Dy drejtuesit e automjeteve nuk kanë zbatuar urdhrat e zyrtarëve doganore që ishin me uniformë dhe veturë zyrtare. Është arritur të ndalet vetëm njëra veturë me drejtues të dyshuarin V.B., i moshës 36 vjeçar shtetas i Serbisë. Kurse, automjeti tjetër me drejtues të dyshuarin: F.M., ka arrit të ik në drejtim të pa njohur duke shkaktuar disa aksidente”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se në koordinim me organet e drejtësisë janë kontrolluar lokali edhe shtëpia e të dyshuarit në Hajvali-Prishtinë, ku është hasur mall (pajisje elektrike) me origjinë serbe, që dyshohet të jetë futur në vendin tonë si kontrabandë.
Rasti është duke u trajtuar nga njësitet e Doganës së Kosovës në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit i cili ka dalë në vendngjarje dhe ka lëshuar vendim mbi ndalimin e të dyshuarit të arrestuar për 48 orë.