Rrjeti hekurudhor i shpejtësisë së lartë në Francë u godit nga “akte sabotazhi” duke përfshirë zjarrvëniet e qëllimshme që kanë ndërprerë sistemin e transportit, tha operatori i trenave SNCF të premten, disa orë përpara ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit.- Advertisement –
Një burim i afërt me hetimin i tha AFP-ja se sulmet ishin akte të koordinuara të “sabotimit”.
“Ky është një sulm masiv në një shkallë të gjerë për të paralizuar rrjetin TGV,” i tha kompania e trenave agjencisë së lajmeve AFP, duke shtuar se shumë udhëtime do të duhet të anulohen.
“SNCF-ja ishte viktimë e disa akteve keqdashëse gjatë natës”, tha operatori kombëtar i hekurudhavet në Francë, duke shtuar se sulmet prekën linjat e saj në Atlantik, në veri dhe në lindje.
“Sulmet me zjarrvënie filluan për të dëmtuar objektet tona”, thuhet në njoftim, duke shtuar se trafiku në linjat e prekura ishte “ndërprerë” dhe situata do të zgjaste dhe gjatë fundjavës teksa po kryhen riparimet e nevojshme.
Trenat po devijoheshin në shina të ndryshëm “por ne do të duhet të anulojmë një numër të madh të tyre”, thuhet në deklaratë.
Linja juglindore nuk u prek pasi aktet e sabotazhit u parandaluan.
SNCF-ja u bëri thirrje pasagjerëve që të shtyjnë udhëtimet e tyre dhe të qëndrojnë larg stacioneve të trenit.
Kompania tha se sulmet prekën rreth 800,000 pasagjerë.
Eurostar-i tha gjithashtu se shërbimet e saj hekurudhore midis Londrës dhe Parisit ishin ndërprerë nga aktet e vandalizmit.
“Për shkak të veprimeve të koordinuara dhe keqdashëse në Francë, që prekin linjën e shpejtësisë së lartë midis Parisit dhe Lille, të gjithë trenat me shpejtësi të lartë që shkojnë dhe vijnë nga Parisi po devijohen përmes linjës klasikekëtë të premte. Kjo e zgjat kohën e udhëtimit me rreth një orë e gjysmë”, tha Eurostari në një deklaratë.
Ministri i Transportit, Patrice Vergriete, tha në një postim në X se ai “dënon me vendosmëri këto incidente kriminale” dhe shtoi se kompanitë hekurudhore po punojnë për të rivendosur trafikun.
Shefi i policisë së Parisit, Laurent Nunez, duke folur në Radio Francë Info, tha se do të dërgonte përforcime policore në stacionet e trenave të mbipopulluara.