Para false gjithandej: Tri banka brenda një dite raportojnë rastet në Polici, konfiskohen mijëra euro

 

 

Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa kartëmonedha e cila raportohet më së shumti si e falsifikuar janë ato prej 50 dhe 100 euro. Tmerri i vërtetë është edhe nga 2 eurot false, të cilat po qarkullojnë me të madhe në treg tash e një kohë.

Sinjali mëson se gjatë ditës së djeshme janë zbuluar edhe dy raste në disa banka në vend.

Fillimisht një zyrtar i bankës ‘Raiffeisen Bank’ në Prishtinë ka raportuar se janë detektuar rreth 1000 euro false që janë deponuar për disa ditë nga klientë të ndryshëm dhe përfshihen kartëmonedha të ndryshme.

Po ashtu, edhe në pikën e Bankës TEB në Fushë Kosovë, një zyrtar ka denoncuar se klientë të ndryshëm kanë deponuar rreth 500 euro (monedha metalike prej 2 euro), të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

Para false janë detektuar edhe në bankën “NLB” në Gjilan, prej ku është raportuar se një klient ka deponuar qindra euro, kartëmonedha 100-she false.

Në tri rastet, paratë janë konfiskuar për ekzaminimet e nevojshme, ndërsa me urdhër të prokurorit kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Falsifikimi i parasë’.

Kujtojmë se kualiteti i parave false është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.

Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d