Një shpërthim ka ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen e njohur si të Universitetit në Prishtinë, ku gjashtë vetura janë dëmtuar.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci tha se bëhet fjalë për shpërthimin e një granate dore.
“Rreth orës 07:00 është pranuar informata për një shpërthim në rrugën “Zekirja Cana” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para bëhet e ditur se si pasojë e shpërthimit nga fragmentet e mjetit shpërthyes gjashtë vetura janë dëmtuar përderisa nuk raportohet për pasoja në njerëz”, theksoi ai.
Në mesin e veturave të dëmtuara, është një veturë e tipit Golf 4, tregojnë pamjet nga vendi i ngjarjes të cilat i ka inicizuar Paparaci. Xhami i pasëm i veturës është dëmtuar, tregojnë pamjet.Po ashtu, edhe një veturë VW Passat është dëmtuar nga shpërthimi. Kësaj veture i janë dëmtuar dy xhamat anësorë.
Por, asnjë nga këto dy vetura nuk ishin cak i sulmit.
Cak i sulmit me granatë dore dyshohet se ka qenë një veturë e reperit Agron Abdullahu, i njohur me emrin e artit ‘Noga’.
Borovci shtoi tutje se përgjatë kryerjes së ekzaminimit të vendngjarjes rruga është bllokuar për lëvizje ndërkaq njësia për menaxhimin e mjeteve shpërthyese ka bërë pastrimin e terrenit.