Osmani për urën: Mos të pyetet Serbia – koordinim me SHBA-të, deklaratat e zyrtarëve të BE-së janë raciste

 

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova nuk duhet ta pyesë Serbinë për hapjen e urës brenda territorit të Kosovës, dhe nuk duhet pranuar që të diskutohet për këtë çështje në dialogun e Brukselit.

Sipas saj, deklaratat e fundit të BE-së në këtë temë janë “raciste” dhe duhet koordinuar plotësisht me Shtetet e Bashkuara në këtë drejtim.

“Sa i përket Bashkimit Evropian. Deklaratat e zyrtarëve të saj janë raciste, nuk besoj se meritojnë vëmendje nga ana ime. E kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e hapjes së urës në Bruksel. Nuk kemi çfarë e pyesim Serbinë”, tha ajo.

Ajo tutje ka thënë se Kosova duhet të sigurohet që ura në veri të hapet në atë mënyrë që nuk nxit konflikt me aleatët e vendit e as prani të shtuar të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Duke folur për media pas një takimi me kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, Osmani, megjithatë, tha se Kosova nuk duhet asesi ta diskutojë çështjen e urës me Serbinë në Bruksel.

“Ura duhet të hapet patjetër, por ne duhet të sigurohemi që kur të hapet të jetë e hapur përherë, e jo që kur të hapet të nxitë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të. A është në interes të Kosovës që ne të shohim konflikt mes Policisë së Kosovës dhe ushtarit amerikan? Nuk besoj që ka shqiptarë që pajtohet me këtë. Ne nuk kemi arsye të kemi konflikt me aleatët tanë, ata na kanë shpëtuar”.

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka ngulur këmbë në hapjen e urës për qarkullim edhe të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, me gjithë kundërshtimin e vazhdueshëm nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë.

Ambasadori i amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të martën se ka rrezik të vërtetë se hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë”.

Osmani tha se kërkesa e SHBA-së për t’u koordinuar në lidhje me hapjen e urës nuk duhet të shihet si diçka negative.

“I lus qytetarët tanë që lutjen e Shteteve të Bashkuara që të ulemi dhe të flasim me ta, mos ta marrin si imponim as si kundër Kosovës, e aq më pak kundër hapjes së urës, sepse kjo do të ishte një logjikë kundër vetë Kosovës. Nëse ne përdorim taktika të njëjta ndaj mikut, sikurse ndaj Serbisë, vërtet është e pafalshme”.

Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm vendimin e Qeverisë së Kurtit për hapjen e urës në këtë kohë.

BE-ja ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.

Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët janë pajtuar që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d