Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka shkruar për rrugëtimin e deritashëm të sportistëve kosovarë që po e përfaqësojnë vendin tonë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Përmes një njoftimi në Facebook, Osmani tha se në paraqitjet e deritshme në Lojërat Olimpike, Kosova demostroi shpirt luftarak, profesionalizëm dhe këmbëngulje. Sipas Osmanit, një e argjendtë dhe duele të tjera jashtëzakonisht sfiduese janë dëshmi e vendosjes së shtetit tonë në majat e sportit botëror.
Postimi i plotë:
Në paraqitjet e deritashme në Lojërat Olimpike në Paris, Kosova demonstroi shpirt luftarak, profesionalizëm dhe këmbëngulje.
Një e argjendtë dhe duele të tjera jashtëzakonisht sfiduese janë dëshmi e vendosjes së shtetit tonë në majat e sportit botëror.
Dje, fati nuk ishte në anën tonë as në garat e xhudos e as në atë të boksit, pavarësisht punës së pareshtur e paraqitjes së jashtëzakonshme të sportistëve tanë.
Teksa paraqitjet e tjera po i përcjellim nga Kosova, shpresoj që të gjithë garuesit tanë ta dijnë se pavarësisht se a fitojnë medalje apo jo, Kosova është me ta në çdo hap e në çdo sfidë.