‘
Situata me zjarret në Shqipëri po vazhdon të jetë kritike.
Pasditen e së martës, zyrtarë të bashkisë së Lezhës kanë thënë se është djegur një biznes privat në afërsi të plazhit te Rana e Hedhun në zonën turistike të Shëngjinit.
Zjarri ka kapluar çadrat dhe rrethojën në kompleksin turistik Inheritor, që gjendet pranë portit të Shëngjinit, në zonën që njihet si Rana e vogël. Në të kaluarën kjo ka qenë zonë ushtarake.
Sipas raportimeve, disa turistë po largohen.
Autoritetet në Shqipëri sot raportuan për përhapje zjarresh në qytetin bregdetar të Shëngjinit, ndërsa thanë se po punohet për mbrojtjen e banesave dhe hoteleve.
Po ashtu njoftuan se janë evakuuar banorët afër zonës së zjarreve, ndërsa pushuesit besohet se janë më larg asaj pjese.
Flakët në Malin e Shëngjinit kanë nisur që nga e shtuna pasdite dhe zjarri është rindezur në mëngjesin e hënës.
Për shkak të erës, izolimi i vatrave të zjarrit aktualisht është i pamundur.