Viti 2024 po shihet si mundësi e shkuarjes në zgjedhje. Për këtë partitë opozitare kanë filluar të mobilizohen. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bëri koalicion me NISMËN.
E i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj thotë se është i hapur për koalicion edhe me partitë e tjera opozitare.
“Ne synojmë dhe jemi të hapur, e thash më herët, marrëveshja jonë me NISMËN, është e konceptume që të gjithë ata që dëshirojnë me iu bashku këtij koalicioni mos të ndihen i të mirëseardhur, por të ndihen si në shtëpinë e vet, nuk presim askënd ne punojmë ne angazhohemi. Këto deklarimet e pushteti janë pjesë e arrogancës së tyre, arroganca e numrave arroganca e mashtrimit”, shprehet Haradinaj.
E nga Partia Demokratike e Kosovës është kundër çdo koalicioni të mundshëm.
“ Partia Demokratike e ka shtëpinë e vet të madhe dhe nuk ka subjekt tjetër që mund ta zë ose shtëpi tjetër që mund ta zë Partinë Demokratike. Unë absolut e përshëndes çdo nismë të mirë qytetare në interes të përgjithshëm të vendit, por Partia Demokratike tash për tash është subjekt që edhe besoj që do të vazhdojë në rrugën e saj të reformave dhe të ngritjes së kapaciteteve , në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të jemi atje ku e presin votuesit tanë dhe qytetarët e Kosovës”, thotë Shala.
Mundësinë e ndonjë koalicioni e hodhi poshtë edhe partia në pushtet.
Armend Muja nga LVV-ja, tha se partitë opozitare janë të ngjashme në programin politik dhe deklarata publike.
“ Nuk mund me pas koalicion jam kundër, jam kundër për arsyeje se thjesht janë të njëjta, beso edhe kur komunikojnë kështu me jashtë edhe këtu në Kuvend, më së miri e kanë me bë një sekretariat mediatik sepse linjat e argumentimit dhe programore i kanë të njëjta për besë kështu është”, shprehet Muja.
Televizioni ka tentuar të marr një qëndrim edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.