“Nuk fal asnjë” – Bie numri i kërkesave për faljen e të burgosurve nga Presidentja

 

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani as këtë vit nuk është treguar zemërgjerë me të burgosurit. Ndonëse nga Shërbimi Korrektues i Kosovës këtë vit janë dërguar rreth 100 kërkesa për falje të dënimit, deri me tani asnjë nuk është falur .

Vetëm gjatë vitit 2023, 97 të dënuar për vepra të ndryshme penale i janë drejtuar me kërkesë presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, që t’ua falë dënimet, shkruan Gazeta Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi për media nga SHKK, Florent Gashi për Insajderin.

SHKK ka  përgatitur dhe proceduar në Presidencë  97  kërkesa për falje” thuhet në përgjigjen e tij duke njoftuar se asnjë na këto kërkesa nuk janë pranuar nga presidentja deri me tani.

Deri më tani, lidhur me kërkesat për falje nuk kemi pranuar asnjë dekret nga presidentja e Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.

As në vitin 2022 presidentja nuk fali të dënuarit

Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë konfirmuar për Insajderin numrin e kërkesave që kanë bërë të dënuarit gjatë viteve 2021 e 2022 të cilat nuk janë falur nga Presidentja.

“Nga fillimi i vitit 2022 e deri në fundvit kemi bërë grumbullimin e informacioneve për 196 të dënuar dhe kemi përcjellë për procedurë të mëtutjeshme”, tha Gashi.

“Gjatë vitit 2021 kemi bërë grumbullimin e informacioneve për 104 të dënuar dhe kemi përcjellë për procedurë të mëtutjeshme në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë”, konfirmoi ai.

I pyetur nëse kanë pranuar ndonjë përgjigje nga presidenca për mos-falje të të burgosurve kosovarë, Gashi tha “Lidhur me këtë Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk ka pranuar ndonjë arsyetim”.

Faljet nga presidentët ndër vite

Gratë presidente janë treguar më dorë-shtrënguar për faljen e të burgosurve. Presidentja e parë grua, Atifte Jahjaga nga 2011-2016 kishte falur vetëm 21 persona. Teksa presidentja aktuale, Vjosa Osmani ende nuk e ka falur asnjë të burgosur.

Pak më “zemërgjerë” janë treguar presidentët burra në veçanti presidenti, Hashim Thaçi, i cili shfrytëzonte data të ndryshme gjatë vitit për ta përdorur të drejtën për faljen e të dënuarve. Madje, një ditë para se të jepte dorëheqje, Thaçi kishte nxjerrë dekret për falje të dënimit ndaj pesë të burgosurve.

Ndërkohë, presidenti i parë i Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë, Fatmir Sejdiu kishte falur gjithsej 124 të burgosur.

Presidenti, Jakup Krasniqi në anën tjetër, vetëm 2011-ën fali 103 të burgosur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d