Edhe një javë pas ngjarjes së rëndë e cila rrezikoi të përfundojë tragjikisht në Lagjen e Muhaxherëve në kryeqytet, ku u plagos Pajtim Gashi, i dyshuari për rastin, Shkumbim Sekiraqa, ende nuk ka rënë në duart e Policisë së Kosovës. Djali i Salih Sekiraqës ndodhet akoma në arrati, teksa akoma nuk dihet nëse është identifikuar i dyshuari tjetër.
Në kuadër të zhvillimit të hetimeve për incidentin e rëndë që ndodhi në rrugën ‘Bedri Shala’, më 5 mars është bastisur shtëpia e familjes Sekiraqa, por gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Deri më tani nuk ka pasur informacione të tjera zyrtare lidhur me këtë incident dhe siç duket, djali i Salih Sekiraqës po del të jetë i pakapshëm për organet e rendit.
Kujtojmë se Shkumbim Sekiraqa, bashkë me të dyshuarin tjetër menjëherë pas rastit janë arratisur nga vendi i ngjarjes me dy veturat e tyre.
Ndërsa i plagosuri, anëtar i familjes së njohur në Prishtinë si ‘Capat’ ndodhet jashtë rrezikut për jetë. Ndryshe, Salih Sekiraqa është një nga emrat e njohur për organet e rendit, për shkak të të kaluarës së tij kriminale.
Herën e fundit ishte arrestuar nëntorin e vitit të kaluar për armëmbajtje pa leje.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.