Një ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka nisur sot dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët, si dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë së Specializuar.
Ai, gjatë gjykimit do të identifikohet si dëshmitari i mbrojtur me numër W04737.
Dëshmia e tij pritet të zgjasë dy ditë.
Sipas njoftimit që dha prokurori Matt Hawling, dëshmitari ka qenë pjesë e UÇK-së, në zonën operative të Pashtrikut dhe do të dëshmojë për ato që i ka parë gjatë asaj kohe.
Në këtë rast ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm të UÇK-së, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre.
Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha akuzat.