Dy fëmijët e Blerta Ahmetit, çdo ditë në çerdhe, kanë dy shujta të ngrohta dhe një mes-shujtë me perime.
E ëma e vajzës gjashtë vjeçe dhe djalit një vjeç e gjysmë tregon se menyja ushqimore për të vegjlit e saj dhe bashkëmoshatarët e tyre përfshin lloje të ndryshme supash, gjellë me perime, me mish ose pa të, fruta, kos dhe qumësht.
“Ka edhe sasi të mjaftueshme. Nëse fëmijët kërkojnë edhe një pjatë, ajo u jepet. Kryesorja janë të ngopur”, thotë Blerta.
Fëmijët e saj shkojnë në një çerdhe publike në Prishtinë, e cila ofron kujdes dhe edukim për grup-moshat 1 deri në 6 vjeç.
Për secilin, Blerta paguan 50 euro në muaj dhe thotë se është tejet e kënaqur.Ndonjë ushqim që nuk ofrohet në kopsht, si për shembull avokado, Blerta thotë se kujdeset që t’ua kompensojë me vaktet që hanë në shtëpi.Në Prishtinë funksionojnë tetë kopshte publike dhe nëntë kopshte me bazë në komunitet, me rreth 2.600 fëmijë gjithsej.
Ndërkaq, në të gjithë Kosovën, sipas Agjencisë së Statistikave, janë 49 çerdhe publike dhe 177 private.
Udhëzuesi “Planifikimi i ushqyerjes në institucionet parashkollore në Kosovë”, i hartuar nga Ministria e Arsimit në vitin 2021, vlen për të gjitha çerdhet në nivel vendi.Të kontaktuara nga REL-i, disa institucione parashkollore jashtë Prishtinës konfirmojnë, po ashtu, se udhëzuesi zyrtar për ushqime zbatohet.
Drejtoresha e një çerdheje publike në Drenas, Blerentina Gashi, thotë se institucioni që drejton, e ka kuzhinën brendapërbrenda, ku gatuhet për rreth 170 fëmijë.
Ajo tregon se ushqimi përgatitet çdo ditë i freskët, duke iu përmbajtur udhëzuesit, por edhe rekomandimeve të një pediatri të angazhuar nga komuna.
“Fokusi është te pemët, perimet dhe produktet e qumështit dhe mishit. Është me rëndësi që të jenë të freskëta. Nëse ndodh që perimet nuk janë të freskëta, ato i kthehen furnizuesit dhe kërkohen të freskëta. Nuk kemi pasur asnjëherë ankesa nga prindërit”, thotë Gashi.
Si furnizohen çerdhet me ushqime?
Ngjashëm sikurse çerdhja në Drenas, edhe disa të tjera nëpër Kosovë i kanë kuzhinat e veta, ndërsa për ato në komunën e Prishtinës përkujdeset ndërmarrja publike lokale Kuzhina Qendrore.
Kjo ndërmarrje, sipas kryeshefit Asdren Osaj, ka të themeluar Komisionin e Menysë – të përbërë nga nutricionistët, përfaqësuesit e çerdheve, këshilli i prindërve dhe kuzhinierët – i cili përkujdeset për zbatimin e udhëzuesit për ushqime.
“Komisioni i Menysë e monitoron vazhdimisht menynë dhe në bazë të vlerësimeve, kohë pas kohe, e plotëson atë, duke shtuar produkte të reja, ose duke i hequr ato që konsumohen më pak”, thotë Osaj .
Sipas tij, Kuzhina Qendrore merr çdo ditë numrin e saktë të fëmijëve në çerdhe, përgatit ushqimet për tri vakte, i paketon në kushte të sigurta dhe i transporton nëpër institucionet parashkollore.
“Nga kjo kuzhinë, çdo ditë na vjen ushqim i freskët për 163 fëmijët e çerdhes”, thotë për Radion Evropa e Lirë Mihrije Spahiu, drejtoreshë e një çerdheje publike në Lagjen Dardania në Prishtinë.
Për kontrollimin dhe monitorimin e ushqimit në çerdhe është përgjegjës Inspektorati Sanitar, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ky inspektorat nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se si kontrollohen dhe monitorohen çerdhet dhe a u përmbahen ato menyve të hartuara.
Por, nga Këshilli i prindërve të fëmijëve në institucionet parashkollore në Prishtinë thonë se nuk kanë ankesa.
“Ne, herë pas here, i monitorojmë çerdhet për respektimin e menysë, sasisë dhe mënyrës së servimit”, thotë Urim Seferi nga ky këshill dhe shton se “prindërit janë të kënaqur”.
Çka thonë nutricionistët?
Nutricionistja dhe dietologia Dhurata Nasufi Halabaku konsideron se çështja e ushqimit në institucionet parashkollore në Kosovë është e rregulluar mirë për të gjitha grup-moshat.
Sipas saj, ushqimi që ofrohet në bazë të udhëzuesit, është i shëndetshëm, gjë që u mundëson fëmijëve zhvillim të shëndoshë fizik.
Ajo thotë se fokusi duhet të mbahet tek ushqimet vendore, përkatësisht te pemët dhe perimet stinore, kultivimi i të cilave nuk stiset “me hormone apo pesticide”.
“Yndyrat janë një faktor tjetër me rëndësi. Ato nuk duhet të jenë me përmbajtje shtazore, por bimore”, thotë Nasufi Halabaku.
Nutricionistja shpreh shqetësim për fëmijët mbi 6 vjeç, pasi, siç thotë, në mungesë të përgatitjes së ushqimit në të gjitha shkollat, “fëmijët, në shumicën e rasteve, ushqehen me ushqime të shpejta”.
Ato, sipas saj, nuk janë të shëndetshme dhe mund të shkaktojnë mbipeshë.
Çështja e ushqimit në shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë është e rregulluar me një udhëzim administrativ, në bazë të të cilit komunat veç e veç janë përgjegjëse për krijimin e kushteve për ushqim.
Në bazë të disa informacioneve që ka siguruar REL-i, disa shkolla i kanë kuzhinat e veta ku përgatisin ushqime, disave ua sigurojnë operatorë privatë, e në disa të tjera nxënësit dalin jashtë hapësirave shkollore dhe ushqehen nëpër lokale të ndryshme, gjatë pushimit të gjatë.
Si është e rregulluar çështja e ushqimit në vende të tjera?
Në kopshtet publike në Shqipëri, për shembull, ushqimi sigurohet nga pushteti vendor, ndërsa në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm, shkollat publike nuk ofrojnë ushqim.
Nga viti 2018, menyja për kopshtet ka ndryshuar duke u bazuar në disa rekomandime të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për një ushqyerje të shëndetshme.
Synim ka qenë reduktimi i mishit – që ishte i përditshëm në vaktin e drekës – deri në 3-4 herë në javë, zëvendësimi në disa raste me pulë apo peshk, si dhe shtimi i perimeve dhe frutave.
Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve thotë për Radion Evropa e Lirë se ushqimi sigurohet nga pushteti vendor përmes strukturave përkatëse, të cilat janë gjithashtu përgjegjëse për përcaktimin e sasisë dhe cilësisë së çdo produkti.
Radiana Rrumbullaku, vajza e së cilës shkon në një kopsht në Tiranë, thotë se është e kënaqur me ushqimin që i jepet.
“Mëngjesi ka tërshërën, vezën… dreka ka gjithnjë gjellë të shoqëruar me sallatë… pasditja ka fruta ose bukë me gjizë pa kripë. Jam e kënaqur, vajza mësoi të hajë çdo gjë”, thotë Radiana, duke treguar se paguan 3.600 lekë, apo 36 euro në muaj.
Në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq, ushqimi i fëmijëve në kopshte është i rregulluar me një ligj, që përcakton normat e ushqimit të fëmijëve në institucionet e kujdesit parashkollor.
“Ushqimi për fëmijët në kopshte duhet të jetë i shëndetshëm, optimal dhe i ekuilibruar, i përgatitur me produkte ushqimore me vlera biologjike, që i plotësojnë nevojat energjetike dhe sigurojnë rritjen dhe zhvillimin e fëmijës, si dhe parandalimin e sëmundjeve”, thonë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, duke cituar Ligjin mbi normat e ushqimit të fëmijëve në kopshte.
Kjo ministri, varësisht sezonit vjetor, shpall tenderë për furnizimin e kopshteve.
Fëmijëve u ofrohen dy vakte, mëngjes dhe drekë, si dhe dy ushqime të ndërmjetme.
Xhevushe Latifi, punonjëse shëndetësore në një kopsht në Shkup, publikon çdo javë në hyrje të kopshtit listën e ushqimeve për pesë ditët e punës.
Ajo thotë se institucioni i kujdesit të fëmijëve vepron në përputhje me dispozitat ligjore që kërkohen nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
Ushqimi, sipas saj, përgatitet në kuzhinën e kopshtit nga specialistë të ushqimit që i nënshtrohen kontrollit të detajuar nga inspektorë të Agjencisë së Ushqimit.
“Me ushqime furnizohemi nga kompani të ndryshme, të cilat aplikojnë në tenderët e shpallur. Përzgjedhja e tyre bëhet varësisht ofertës dhe cilësisë së ushqimit”, thotë Latifi për Radion Evropa e Lirë.
Në këtë kopsht, Sara Ajdini, tani dy vjet, çon vajzën e saj tri vjeçe.
“Jemi shumë të kënaqur me kushtet. Ushqimi është shumë i mirë dhe i bollshëm për fëmijën. Është i shëndetshëm dhe kjo vërtet na bën të ndihemi mirë”, thotë ajo, duke treguar se një pjesë të pagesës – rreth 25 euro – e mbulon vetë, ndërsa tjetrën shteti.
Të ushqyerit e shëndetshëm në kopshte u siguron fëmijëve energjinë dhe lëndët ushqyese që u nevojiten për rritjen dhe zhvillimin e tyre siç duhet, thotë nutricionistja Valbona Kadriu, e cila trajton çështjen e ushqimit të fëmijëve në Maqedoninë e Veriut.
“Edukimi i fëmijëve me ushqimin është thelbësor për të qëndruar të shëndetshëm gjatë gjithë jetës dhe për të mbrojtur veten nga sëmundje të zemrës, kanceri dhe diabeti”, sipas saj.
As në Maqedoninë e Veriut, shkollat fillore dhe të mesme nuk kanë programe ushqimore, pos atyre që përfshijnë edhe qëndrimin ditor.
“Ushqimi në shkolla organizohet vetëm në shkollat ku organizohet mësimi ditor. Sipas Ligjit për Arsimin Fillor nga viti 2019, shkolla fillore – në marrëveshje me prindërit ose kujdestarët dhe në përputhje me rregulloret në fushën e prokurimit publik – mund të organizojë nga një vakt për nxënësit gjatë qëndrimit në shkollë. Prindërit paguajnë për ushqimin”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Afrim Tahiri ka dy fëmijë që i lë në qëndrim ditor në një shkollë të Shkupit.
“Jemi të detyruar t’i lëmë në qëndrim ditor, pasi unë dhe bashkëshortja jemi në punë dhe nuk ka se kush të kujdeset për ta. Kujdesi në shkollë është në nivel. Ushqimi është i mirë… Çdo ditë kanë ushqim të ngrohtë dhe fruta dhe këtë e paguajmë nga buxheti jonë”, thotë Afrimi.
Si qëndron çështja në vende të BE-së?
Çekia, për shembull, si një prej 27 vendeve të Bashkimit Evropian, aplikon të ashtuquajturën Skemë shkollore të frutave, perimeve, qumështit dhe produkteve të qumështit.
Në këtë nismë, që Komisioni Evropian ka ndërmarrë në vitin 2017, marrin pjesë më shumë se 134.100 shkolla dhe institucione parashkollore në nivel të BE-së.
Vetëm në Çeki, ajo mbulon mbi 928.000 filloristë nga rreth 4.000 shkolla.
Me bashkëpunimin mes prodhuesve bujqësorë dhe institucioneve arsimore, nxënësve u shpërndahen ushqime falas, si: fruta, perime, qumësht dhe produkte të qumështit.
Për shembull, për një porcion fruta në Çeki ndahen rreth 30 centë për fëmijë nga fondet e BE-së dhe ato kombëtare, dhe më pak se 50 centë për qumështin.
Në nivel të BE-së, sipas të dhënave të fundit për vitin shkollor 2021/2022, Skema mbulon mbi 17.5 milionë fëmijë, nga të cilët 3.3 milionë janë nga institucionet parashkollore, 12.5 milionë nga shkollat fillore dhe 1.6 milion nga shkollat e mesme.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) nga viti 2023, numri i fëmijëve në BE është mbi 80.1 milionë, kështu që Skema e shkollës mbulon çdo të pestin fëmijë në BE.
Produktet që shpërndahen nëpër shkolla ndryshojnë nga vendi në vend dhe disa nga më të zakonshmet janë: mollët, dardhat, perimet me rrënjë, qumështi, djathi dhe kosi.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Tregti dhe Bujqësi, Olof Gill, thotë se Skema e shkollës është aktualisht në fazën e vlerësimit, por se studimet shoqëruese tregojnë se ajo është e rëndësishme për rritjen e konsumit të produkteve të përzgjedhura bujqësore nga fëmijët, si dhe për përmirësimin e shprehive të tyre të të ngrënit.
“Marrë parasysh numrin e pjesëmarrësve dhe mungesën e programeve të ngjashme në nivel kombëtar, Skema e shkollës është një vlerë e madhe e shtuar në shumicën e shteteve anëtare”, thotë Gill për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se janë zbuluar edhe disa pjesë të programit që duhet të përmirësohen, sidomos kur bëhet fjalë për efikasitetin dhe qëndrueshmërinë.
“Komisioni synon t’i adresojë këto sfida në propozimet legjislative që do të paraqiten këtë vit”, thotë Gill.
Projekt-pilot në shkollat në Mal të Zi
Komisioni Evropian, shton Gill, inkurajon vendet kandidate për anëtarësim në BE që të ndëmarrin masa kombëtare, në përputhje me Skemën e shkollave të BE-së.
Sipas modelit të Skemës së shkollës në BE, Ministria e Bujqësisë në Mal të Zi, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë, si dhe të Institutit të Shëndetit Publik, në vitin 2019, nisi një projekt-pilot për shpërndarjen falas të frutave, perimeve, qumështit dhe produkteve të qumështit për fëmijët e moshave shkollore.
Nga Ministria e Bujqësisë i thanë Radios Evropa e Lirë se projekti, fillimisht, është zbatuar në shtatë shkolla fillore në territorin e katër komunave dhe se u është dedikuar fëmijëve të klasave të ulëta.
Siç sqaruan ata, programi u zbatua sipas parimit të ndarjes së një nën-shujte me fruta ose prodhime qumështi, e jo një vakti të plotë.
“Programi u zbatua me mjaft sukses, dha rezultate të mira dhe një përgjigje pozitive nga nxënësit dhe shkollat, si dhe nga furnizuesit që morën pjesë në shpërndarjen e produkteve”, tha Ministria e Bujqësisë e Malit të Zi.
Sipas saj, programi është ndërprerë gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit, kur mësimet janë mbajtur kryesisht online.
“Vitin e kaluar, programi u zgjerua në 17 shkolla fillore. Për vitin 2024 është planifikuar zgjerimi i mëtejshëm dhe presim përfshirje më të mirë të prodhuesve vendorë dhe të shpërndarësve të pemëve dhe perimeve, në mënyrë që numri i produkteve të përfshira në program të zgjerohet”, tha Ministria e Bujqësisë e Malit të Zi.
Kristina Mihajlloviq, drejtoreshë ekzekutive e shoqatës Prindërit nga Mali i Zi, thotë se Skema e BE-së është dëshmuar të jetë një shembull i shkëlqyer i lidhjes së fermerëve me sistemin arsimor të BE-së.
Por, duke komentuar programin në Mal të Zi, ajo thotë se ky vend i ka gjithsej 250 shkolla.
“Është një numër mjaft i vogël në krahasim me numrin e përgjithshëm. Për më tepër, programi nuk ka filluar vitin e kaluar, por disa vite më parë, kështu që numri po rritet shumë ngadalë”, thotë Mihajlloviq.
Sipas saj, programi nuk promovohet sa duhet dhe ndonjë reagim nga prindërit nuk ka.