Nga 1 gushti, KEDS-i aplikon tarifat e rikyçjes për amvisëri me vlerë 17.70 euro

Nga 1 gushti, do të fillojë aplikimi i një takse të re për rikyçje të konsumatorëve të amvisërisë që nuk e paguajnë borxhin brenda afatit ligjor. Vlera për konsumatorët e amvisërisë është 17.70 euro, përderisa për ata komercialë vlera e ri-kyçjes është 30 euro.

Kompania e Distribucionit të Energjisë Elektrike (KEDS) nga fillimi i muajit gusht, do të aplikojë një skemë të re taksash e ndëshkimesh për të gjithë ata konsumatorë që neglizhojnë pagesën e faturës elektrike pas afatit 15 ditor.

Kjo nënkupton që ri-kyçja prej ekipeve të KEDS-it do i kushtojë një familjeje 17:70 euro ndërsa një biznesi deri në 30 euro. Por, disa qytetarë të intervistuar Radio Kosova, thonë se me inflacionin e rritur të viteve të fundit, kjo vetëm sa do ta rëndojë edhe më shumë buxhetin e qytetarëve.

“Me këtë buxhet të qytetarëve, këto ndëshkime i dëmtojnë edhe më shumë. Çdo plus në faturë të qytetarit, është shumë e dëmshme dhe papërballueshme. Kjo mund t’i vetëdijesojë pak qytetarët që t’i rrinë gati pagesave të faturave, por në anën tjetër është e vështirë e përballueshme, duke pasur parasysh çmimet që janë rritë shumë kohën e fundit…”.

Zëdhënësi i KEDS-s, Lulëzim Krasniqi, thotë se kjo masë e bazuar në rregulloren e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është më tepër për të siguruar pagesa të rregullta por edhe ri-kyçje profesionale.

“Nëse konsumatori e ka pranuar një faturë në muajin e kaluar, e ka një afat për pagesë, por nëse nuk e paguan brenda atij afati, atëherë në muajin e dytë e pranon faturën me vërejtje që është në subjektin e shkyçjes, dhe të cilët ngarkohen me një taksë”, tha ai.

I pyetur nga Radio Kosova për keqpërdorimet elektrike nga ana e konsumatorëve, zëdhënësi Lulëzim Krasniqi thotë se në baza ditore KEDS-i identifikon mesatarisht 25 raste të keqpërdorimeve elektrike.

“KEDS-i bënë kontrolle të tilla në baza ditore në mbarë Kosovën, kryesisht realizon rreth 400 kontrolle brenda ditës prej të cilave, mesatarisht 20-25 sosh, identifikohen si keqpërdorime të energjisë elektrike”, deklaroi Krasniqi.

Keqpërdorimi i energjisë elektrike bazuar në Kodin Penal, cilësohet si vjedhje e energjisë elektrike, dhe rastet e tilla janë të dënuara me gjobë dhe me tri vite burg.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d