Nesër nisin punimet intensive në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë

 

 

Nesër pritet të nisin punimet me kapacitete të plota për rregullimin e rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë. Kontrata për këtë rrugë ishte nënshkruar ditë më parë. Qytetarët i gëzohen këtij lajmi, por ka edhe skeptik se punimet do të zvarriten.

Ndonëse në numër jo të madh punëtorët kanë nisur ta përgatisin terrenin për fillimin e punimeve të kësaj rruge, ndërtimi i së cilës kishte nisur në vitin 2009. Ky projekt për rreth 15 vjet u përcoll me probleme të mëdha e nuk arriti të përfundojë.

Megjithatë, nënshkrimi i fundit i një kontrate të re jep shpresë tek ata që e frekuentojnë çdo ditë këtë rrugë.

“Besojmë që kryhet sepse që 14 vjet duke prit u bë shumë…”, tha Shefqet Zeqiri nga Dumnica e Poshtme e Vushtrrisë.

“Prej orës 4 deri në 6 gjithmonë është kolonë. Nga Maxhunaj deri në Vushtrri kemi bërë 1 orë  çdo ditë”, tha Tahir Musliu nga Maxhunaj.

Por ka prej banorëve që mendojnë se kjo rrugë do të jetë kështu qysh ka qenë për më shumë se një dekadë.

“Kjo rrugë që gati 20 vjet është nisur, jam shumë skeptik”, tha një tjetër qytetar.

Ndërkohë, me datë 8 të këtij muaj Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar kontratë me operator ekonomik ‘HYDROSTROY JSC SOFIA dhe ESKAVATORI LLC” nga Bullgaria dhe Kosova, për përfundimin e rrugës nacionale Prishtinë – Mitrovicë.

Pa përfunduar ka mbetur segmenti nga Lumi i Madh deri në Gojbulë, me një gjatësi prej 9.78 km.

E nga kompania që do t’i kryejë këto punime thonë se intensivisht do të fillojnë të hënën.

“Ne si kompani veç se jemi shumë afër fillimeve të punës me kapacitet të plotë, duke filluar nga data 26.02.2024 me afat më të shkurt nga mobilizimi prej 28 ditësh dhe normalisht duke e rritur edhe numrin e punëtorëve dhe mjeteve të rënda në vendpunishte”, tha Sadat Rysha në një përgjigje për RTK-në.

Në ditën e nënshkrimit të kësaj kontrate ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se sipas marrëveshjes i është dhënë afat kompanisë që brenda 12 muajve t’i përfundojë punimet.

Ky projekt financohet nga huamarrja nga Fondi i OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar në bashkëfinancim me Fondin Saudit për Zhvillim, në vlerë prej 25 milionë eurosh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d