Në VV është shtuar numri i votave kundër Kodit Civil? Rrahmani: Ka deputetë që kanë votuar pro, tani janë kundër

 

 

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, pos me opozitën e deputetët e pavarur, ka probleme edhe me shumë deputetë brenda grupit parlamentar të VV-së.

Njëri prej tyre është Eman Rrahmani, i cili ka deklaruar se për dallim nga dy vite më parë kur dështoi Kodi Civil, kësaj radhe edhe më i madh është numri i deputetëve kundër.

“Po kryeministri Kurti edhe para dy vitesh është marrë me këtë, kemi pasur diskutime edhe në Grupin Parlamentar mes deputetëve, mirëpo këto janë qëndrime të deputetëve, të cilët vendosin për votën e tyre se si do të votojnë për çështje të caktuara. Kurse sa i përket Kodit Civil, unë besoj që kurdo që vjen do të ketë vota edhe më shumë kundër se sa që ka pasur para 2 viteve, në raport me të. Të paktën nga diskutimet që kam pasur unë me deputetët, ka deputetë të cilët kanë votuar pro herën e kaluar dhe tani janë kundër”, thotë ai.

Ai thotë se ky projektligj nuk do të shkojë në Kuvend këtë mandat dhe s’ka as mbështetje.

“Absolutisht që jo. Unë nuk besoj që vjen në këtë mandat Kodi Civil në Kuvend për votim. Kuvendi dhe deputetët kanë dhënë vlerësimet lidhur me të dhe unë nuk pres që të vijë sepse nuk ekziston vota e as mbështetja, e aq më pak mbështetja tek qytetarët për këtë Kod Civil çfarë na është ofruar dhe unë nuk pres që s’do të vije këtë mandat”, thekson deputeti për Expose.

Rrahmani tregoi se diskutimi i vetëm me Kurtin ka qenë para 2 vitesh për këtë projektligj.

“Diskutimi i vetëm ka qenë i para dy viteve, para se të vinte në votim, aty kemi pasur diskutime ku nuk jemi pajtuar dhe prej atëherë nuk kemi pasur ndonjë diskutim apo presion çfarë po flitet shpeshherë edhe në media”.

“Sa i përket çështjes së kandidaturës për deputet vendosi unë se a do të jem kandidat apo jo dhe jo dikush tjetër. Kurse çështjet tjera janë pak të rëndësishme lidhur me angazhimin që unë bëj dhe qëllimin që kam si deputet, andaj për mua është me rëndësi që çdo gjë që mendoj se është e padobishme dhe e dëmshme për vendin të parandalohet dhe të mos lejohet t’i ofrohet qytetarëve të Kosovës, kështu që angazhimi im është për ndaljen e këtyre çështjeve që mendoj se janë të dëmshme, për çështje të tjera, a do të kandidoj apo jo vendosi unë dhe jo dikush tjetër për mua dhe çështje tjera besoj pas mandatit duhet të diskutohen”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d