Në QKUK bëhen gati për ekzaminime të reja të foshnjave

 

 

Brenda pak muajsh, Klinika e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës do të nisë ekzaminime të reja për të sapolindurit, të cilat do të ndihmojnë në diagnostikimin e së paku katër çrregullimeve metabolike.

Ato përfshijnë sëmundje si hipotiroidizmi kongjenital dhe fenilketonuria, të cilat mund të shkaktojnë dëmtime të konsiderueshme mentale dhe neurologjike, nëse nuk trajtohen në kohë.

Ekzaminimet e reja do të mund të diagnostikojnë edhe fibrozën cistike, e cila e bën të vështirë për fëmijët e prekur të marrin frymë ose ta tresin ushqimin, si dhe galaktozeminë, e cila nuk e lejon trupin ta përpunojë sheqerin që gjendet në produktet e qumështit.

Zbulimi i hershëm i këtyre sëmundjeve, sipas profesionistëve shëndetësorë, është vendimtar, pasi ndërhyrja në kohë mund t’i parandalojë pasojat apo vonesat e mëdha në zhvillim.

Pajisjet për këto ekzaminime – në vlerë prej më shumë se 109 mijë eurosh – i ka blerë Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, i cili ka nën mbikëqyrje QKUK-në dhe spitalet rajonale.

Tash për tash, ekzaminimet e tilla kryhen vetëm jashtë Kosovës.

“Jetike për kujdesin shëndetësor”

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Neonatologjisë, Luan Morina, thotë se bazuar në numrin e përgjithshëm të lindjeve, brenda vitit në Kosovë mund të ketë pesë deri në gjashtë raste me sëmundjet e lartpërmendura.

Sipas tij, ekzaminimet për to do t’i bëhen secilës foshnje në QKUK, brenda pesë ditësh nga lindja.

“Skriningu [ekzaminimi] neonatal është pjesë jetike e kujdesit shëndetësor dhe qëllimi i tij është zbulimi i hershëm i sëmundjeve kongjenitale. Nëse detektohet herët se fëmija ka sëmundje të tilla, masat e trajtimit dhe mjekimet janë më të lehta”, thotë Morina për Radion Evropa e Lirë.

“Deri më tash, te rastet që kemi dyshuar, ne i kemi kërkuar ekzaminimet e tilla, por ato janë bërë jashtë vendit”, shton ai.

Morina nuk jep ndonjë afat specifik se kur do të nisin ekzaminimet në fjalë në QKUK, por thotë se brenda pak muajsh – derisa të montohen pajisjet dhe derisa stafi të trajnohet në mënyrë adekuate.

Mynevere Latifi-Hoxha, pediatre në pension, thotë se shumë sëmundje të padukshme në fillim, mund të zbulohen me ekzaminime adekuate dhe të trajtohen me sukses.

Latifi-Hoxha, e cila për disa vite ka udhëhequr Klinikën e Neonatologjisë, thotë se edhe në kohën kur ajo ka punuar aty, ka pasur kërkesa për blerjen e aparaturave, por se, veç premtimeve, nuk është realizuar asgjë.

“Është shumë e rëndësishme që shteti të ofrojë mundësi për bërjen e këtyre analizave, sepse janë disa sëmundje që mund të zbulohen herët, me një pikë gjaku. Dhe, nëse bëhet një laborator i mirë, mund të zbulohen edhe sëmundje të tjera”, thotë Latifi-Hoxha për Radion Evropa e Lirë.

Në QKUK, brenda 24 orësh, lindin rreth 30 foshnja.

Vitin e kaluar, në Raportin e Progresit të përpiluar nga Komisioni Evropian, është thënë se vdekshmëria e fëmijëve në Kosovë mbetet problem serioz, pasi 16 në 1.000 prej tyre vdesin përpara se t’i mbushin 5 vjet.

Kjo shifër, sipas atij raporti, është tri herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian.

Si shkaktare të vdekjeve janë përmendur sëmundjet jongjitëse.

Po sipas atij raporti, cilësia e kujdesit shëndetësor në Kosovë, përgjithësisht, është shqetësuese, ndërsa përgjegjshmëria institucionale e ofruesve të shëndetit publik, është e ulët.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar disa herë për sfidat që hasen në klinika të ndryshme të QKUK-së, nisur nga mungesa e çarçafëve deri te keqadministrimi i barnave.

Por, në fillim të kësaj vere ka pasur edhe disa renovime të konsiderueshme në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë, të cilat i kanë përmirësuar kushtet si për pacientet, ashtu edhe për të porsalindurit. /REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d