Ndërron jetë akademiku Tahir Emra

 

 

Në moshën 86-vjeçare ka vdekur akademiku kosovar, piktori Tahir Emra.  Për vdekjen e tij ka njoftuar Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK).  Në njoftimin e ASHAK-ut thuhet se Emra do të varroset në varrezat e qytetit të Gjakovës më 8 tetor. 

Po në këtë ditë AShAK-u do të mbajë mbledhje komemorative dhe do të mbahen edhe homazhe për të. Në njoftimin e Akademisë është dhënë edhe një biografi e shkurtër e akademik Emras.

Ai u lind në Gjakovë më 1938. Shkollën fillore e kreu në vend­lindje, ndërsa të mes­men të artit më 1959 në Pejë.

Në vitet 1959-1961 thuhet se punoi mësues vizatimit në vendlindje, më pas studioi në Akademinë e Arteve Figurative në Beograd. Diplomoi më 1966 për pikturë, teksa një vit më vonë u zgjodh ligjërues e pastaj profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, në Degën e Arteve Figurative.

Më pas thuhet se vijoi studimet pasuniversitare, magjistroi më 1970 dhe më 1974 u zgjodh docent për vizatim dhe pikturë në Akademinë e posathemeluar të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe më 1982 profesor ordinar.

“Ka qenë docenti dhe prodekani i parë shqiptar i Akademisë së Arteve, pastaj shef katedre në dy mandate. Gjatë viteve ’90, për disa vite ka mbajtur mësim me studentët në atelienë e shtëpisë së tij. Për dhjetë vjet (1994-2004) ka mbajtur mësim në lëndët vizatim dhe pikturë edhe në Akademinë e Arteve të Universitetit të Tetovës. Ishte njëri nga themeluesit e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës dhe pjesëmarrës i rregullt në aktivitetet e saj”, thuhet në njoftim.

Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës thuhet se është zgjedhur në vitin 2000, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2008. Për një mandat ka qenë sekretar i Seksionit të Arteve të ASHAK-ut.

Ka hapur disa ekspozita të pavarura dhe ka marrë pjesë në ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit. Veprat e tij gjenden në shumë galeri e muze të botës, në institucione dhe në koleksione private.

Në vitin 2013 Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës botoi monografinë e piktorit Tahir Emra me riprodhimet e veprave më të njohura dhe me studimin e piktorit Kujtim Buza.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d