Këtë të martë, në faqen zyrtare të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, u bë e ditur se janë shpallur kandidaturat për të marrë kreun e kësaj organizate, shkruan Prishtina Sot.
Në mesin e tri kandidaturave për t’u bërë kryetar i organizatës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë edhe ajo e Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit – të dy të liruar me kusht nga Gjykata Speciale.
Insajderi ka kontaktuar me Nasim Haradinajt, për të pyetur se a i lejohet kandidatura e tij, por që i njëjti nuk është përgjigjur nën arsyetimin se nuk i lejohet të flas nga Gjykata Speciale.
“Deri më 26 dhjetor të këtij viti s’mundem me fol. E kam të ndaluar nga Gjykata Speciale”, i ka thënë shkurt Insajderit – Nasim Haradinaj.
Por, për ta sqaruar lejueshmërinë e kandidimit për kreun e OVL UÇK-së të Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit – ka folur u.d. i kryetarit, Faton Klinaku.
Ai për Insajderi tha se aprovimi i kandidaturave për kreun e OVL UÇK-së nga Haradinaj dhe Gucati nuk bien ndesh me kushtet e lirimit të Gjykatës Speciale për ta.
Kjo për shkak që sipas Klinakut, zgjedhja e kryetarit të ri të Organizatës
së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nuk do të bëhet deri në janarin e vitit të ardhshëm.
“Nuk bie ndesh me kufizimet ndaj tyre të bëra nga Gjykata Speciale. Kjo për shkak që tani ne në mars kemi nisur edhe zyrtarisht procesin zgjedhor për Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Ky proces do të zgjatë deri në fund të muajit nëntor, ku përgjatë kësaj kohe do të bëhet zgjedhja e drejtuesve nëpër nëndegë. Kështu që kur të përfundojë zgjedhja e nëndegëve, atëherë mund të thërrasim edhe Kuvendin Qendror të Organizatës. Këtë të fundit synojmë ta bëjmë diku rreth muajit Janar të vitit të ardhshëm, për shkak që duhet kohë që pasi të përfundojë procesi nëpër nëndegë e deri të bëhet organizimi i kuvendit kryesor”, ka thënë Klinaku për Insajderi.
Derisa komunikimi me Hysni Gucatin ka qenë i pamundur për shkak që i njëjti e kishte telefonin e mbyllur.
Përveç tyre, kandidaturën për të marrë drejtimin e OVL UÇK-së, e ka konfirmuar edhe Kapllan Parduzi (Korabi).
Kjo organizatë ka mbetur më ushtrues detyre të kryetarit, që nga 25 shtatori i vitit 2020 – atëherë kur u arrestuan nga Gjykata Speciale – Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Gucati dhe Haradinaj u dënuan me 18 maj të vitit 2022 me dënim prej 4 vjet e gjysmë burgim, nën akuzën për publikim të dokumenteve sekrete të Gjykatës Speciale.
Por, ata u liruan pa e mbajtur dënimin e shqiptuar.
Hyseni Gucati u lirua me 13 tetor të vitit të kaluar.
Kurse, Nasim Haradinaj u lirua me 14 dhjetor të vitit 2023.
Të dy këta u liruan me kusht dhe nuk mund të deklarohen publikisht e as të mbajnë poste publike deri më 26 dhjetor të këtij viti. /Prishtina Sot/