Murtezaj e ‘godet’ sërish Abdixhikun: Ma mbyllën derën në LDK me metoda të shëmtuara

 

 

Valon Murtezaj, i cili ka mbetur jashtë Kryesisë së re të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka vazhduar me akuza ndaj lidershipit të partisë, raporton Gazeta Prishtina Sot.

Ai ka shkruar se derën në parti ia mbyllën me metoda të shëmtuara.

“Pas mbylljes së derës me metoda të shëmtuara të tyre, dhe mundësisë, i gjendur në rrethana të pamundësisë për të shprehur qëndrimet dhe pikëpamjet e mia, në nivelin më të lartë të strukturës organizative të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Kryesinë e saj, do të më duhet dhe do të vazhdoj që qëndrimet e mia t’i shpalos përmes formave të tjera të komunikimit me anëtarësinë e LDK-së, qytetarin dhe publikun në përgjithësi”, ka shkruar ai.

Reagimi i plotë:

Zonja dhe Zotërinj,

Në Kryesinë e LDK-së merren vendime për qëndrimet e LDK-së, në raport me çështjet më të rëndësishme. Kjo përfshin edhe qëndrimet për interesa nacionale të Republikës së Kosovës.

I ndërgjegjshëm për peshën e këtyre vendimeve dhe pasojave, unë nuk mund të rri heshtur.

Pas mbylljes së derës me metoda të shëmtuara të tyre, dhe mundësisë, i gjendur në rrethana të pamundësisë për të shprehur qëndrimet dhe pikëpamjet e mia, në nivelin më të lartë të strukturës organizative të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Kryesinë e saj, do të më duhet dhe do të vazhdoj që qëndrimet e mia t’i shpalos përmes formave të tjera të komunikimit me anëtarësinë e LDK-së, qytetarin dhe publikun në përgjithësi.

Përgjatë historisë është e dëshmuar se mentaliteti autoritar një gjë nuk e kupton, se zëri i të vërtetës nuk mund të shuhet.

Të dehur nga “festa” e pushtetit të instaluar në nivelin më të lartë të LDK-së, ata e kanë ngatërruar shënjestrën.

Si rrjedhim, në kohët që po vijnë, si njeri i lirë, do të vazhdoj të jem prezent për të shfaqur me ndërgjegje, vendosmëri dhe përgjegjësi qytetare mendimet dhe qëndrimet e mia, gjithë atë që në bindjen time e vlerësoj se është në shërbim të interesit më të lartë për qytetarët e Kosovës dhe interesat nacionale të Republikës së Kosovës.

Për Liri dhe Demokraci, i rrënjosur në Dardaninë Antike, për Kosovën evropiane, gjithmonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d