Gazeta merr vesh që në Repartin e Onkologjisë, ku trajtohen të prekurit nga sëmundja e rëndë e kancerit, sot mungon një bari fortë i shtrenjtë.
“Tek sot jemi njoftuar që mungon bari me emrin “Riboposid”. Sot e kemi pasur terminin për këtë pjesë të kimioterapisë”, i ka thënë Insajderi një familjar i një pacienti që po merr tretman në Onkologji.
Ky familjar ka dërguar edhe faturën e të njëjtit bar, që mungon në QKUK, e kanë blerë në barnatore private.
Në barnatore private ilaçi “Riboposid”, sipas faturës që e posedon Gazeta Insajderi, kushton 150 euro.
Gazeta që nga fillimi i kësaj dite ka tentuar që të marr një prononcim nga Onkologjia, QKUK-ja, dhe kontakte tjera që i ka pasur në dispozicion, por askush deri tash nuk është përgjigjur.
Të njëjtit janë kontaktuar edhe përmes e-mailit, por deri tash nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim as pse mungon ky ilaç, e as nëse pacientët janë njoftuar më herët.