MPJD: S’ka shtetas të Kosovës në mesin e viktimave nga sulmi në Pragë

 

 

Republika Çeke është tronditur dje pas një sulmi të armatosur në ambientet e Universitetit të Karlit në Pragë, ku mbetën të vrarë 14 studentë dhe u plagosën 25 të tjerë, dhjetë prej tyre rëndë, raporton Gazeta Prishtina Sot.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, të cilët kanë bërë me dije se sipas të dhënave zyrtare, nuk ka shtetas të Republikës së Kosovës në mesin e viktimave dhe të të lënduarve.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është thellësisht e tronditur nga sulmi i armatosur që ndodhi sot në Universitetin e Karlit në Pragë, ku për pasojë humbën jetën 15 persona si dhe mbetën të plagosur dhjetëra të tjerë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave dhe i uron shërim të shpejt të plagosurve. MPJD njofton opinionin publik se sipas të dhënave të deritanishme zyrtare nuk ka shtetas të Republikës së Kosovës në mesin e viktimave dhe as të lënduarve”, thuhet në reagimin e MPJD-së.

MPJD-ja, gjithashtu, ka njoftuar se Ambasada e Kosovës në Pragë ka kontaktuar me profesorë dhe studentë të seksionit të gjuhës shqipe në universitetin ku ndodhi sulmi, duke shprehur solidaritetin dhe për të ofruar asistencë.

Nëpërmjet ambasadës, është lëshuar një njoftim për shtetasit e Kosovës në Pragë, duke bërë thirrje që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe duke ofruar një linjë emergjente telefonike në dispozicion 24 orë për çdo kërkesë për ndihmë konsullore.

Ndryshe, i dyshuar për këtë sulm është një student i po këtij Universiteti, ku siç raporton portali çek Novinky, është 24-vjeçari David Kozak.

Kozak u vra pas sulmit.

Sulmuesi është eliminuar”, ka thënë Policia çeke në rrjetet sociale.

Sipas Policisë, babai i të dyshuarit është gjetur i vdekur më herët gjatë ditës.

Shefi i policisë Martin Vondrashek, ka thënë se sulmuesi është inspiruar prej sulmeve të ngjashme që kanë ndodhur jashtë shtetit.

Ministri i Brendshëm, Vit Rakushan, ka thënë se “nuk ka sinjale që krimi ka pasur lidhje me terrorizëm ndërkombëtar”.

Autoritetet çeke kanë thënë se zyrtarët dyshojnë që sulmuesi është përgjegjës për vdekjen e dy personave javën e kaluar në pyllin Klanovicki afër Pragës.

Ata besojnë se sulmuesi – i cili nuk ka pasur histori kriminale – ka shtënë ndaj viktimave, pa dallim.

Ky besohet se është incidenti më i rëndë me të shtëna masive në historinë moderne të Republikës Çeke./Prishtina Sot/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d