Mot i paqëndrueshëm edhe këtë javë, vërshime në zona të caktuara

 

 

Nga mesi i javës së kaluar kishim ndryshim drastik të motit, e cila u karakterizua me ulje të theksueshme të temperaturave si dhe me reshje shiu e bore. Temperaturat të dielën ishin edhe nën 10°C.

Edhe gjatë kësaj jave vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike dhe të masave më të ftohta ajrore, të cilat parashihen të dobësohen apo zëvendësohen me ato të ngrohta gradualisht në pjesën e dytë të javës.

Kështu, dita e sotme po karakterizohet me vranësira dhe intervale me diell, e temperaturat po shënojnë ngritje të përkohshme, deri në 17°C maksimalet.

Të martën do të kemi ardhjen e një cikloni të ri nga Afrika Veriore, i cili do të sjellë shtim të vranësirave dhe reshje të dendura shiu. Reshjet lokalisht do të jenë në formë të rrebesheve, të cilat mund të sjellin edhe vërshime në zona të caktuara. Temperaturat pësojnë ulje për disa gradë.

Përpos reshjeve të shiut, cikloni do të bartë me vete edhe koncentrime të pluhurit Saharian, me ç’rast reshjet do të jenë të përziera me baltë.

Nga dita e mërkurë e deri të premten, moti do të karakterizohet me vranësira dhe intervale me diell, e reshjet do të mbesin më të pakta dhe me karakter lokal. Temperaturat do të fillojnë të shënojnë ngritje graduale nga dita në ditë, ndonëse fare të pakta.

Sa i përket fundjavës, përpos së shtunës ku mund të ketë ndonjë reshje të izoluar shiu, përndryshe priten intervale më të gjata me diell dhe ngritje e ndjeshme e temperaturave, respektivisht të dielën, ku temperaturat pritet të arrijnë pak gradë mbi vlerën 20.

Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-65 km/h!

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 3 deri në 9°C, ndërsa ato maksimale prej 11 deri në 23°C. Dita më e ftohtë do të jetë ajo e marte, ndërsa më e nxehtë parashihet ajo e diel.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d