Borxhet dhe mosmarrëveshjet lidhur me pagesa të ndryshme jo rrallëherë kanë shkaktuar incidente, që kanë eskaluar edhe në kanosje serioze e përleshje. Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur së fundmi në Prishtinë, Policia ka arrestuar një person, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Personi i arrestuar po dyshohet se kishte shkuar te një punëtori në kryeqytet, ku pas një mosmarrëveshje me dy viktimat i ka goditur të njëjtit me veturë dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Gazeta mëson se i dyshuari që u arrestua për këtë rast është Agim Zariqi,(40-vjeçar) ndaj të cilit kanë nisur hetimet me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Në bazë të informacioneve që ka Sinjali, i dyshuari kishte shkuar te punëtoria e dy viktimave, në rrugën “Ramiz Cërnica”, ku fillimisht kishte kërkuar që të kryejë një pagesë për një marrëveshje që kanë lidhur.
Por, situata aty ka eskaluar nga debati verbal në kanosje e ofendime dhe në fund, i njëjti po dyshohet se e ka goditur pronarin e punëtorisë me veturë, e më pas edhe viktimën tjetër.
Viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në spital për trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.