Misteri i vrasjes së policit në Serbi: Autori ende në arrati, dyshimet te vëllezërit Hajrizi

 

 

Emri më i përfolur ditëve të fundit që kulmoi me rastin e vrasjes së policit serb është Faton Hajrizi, i arratisuri nga burgu i Smrekonicës. Hajrizi, që arriti të ikë për herë të nëntë nga burgjet e Kosovës më 6 korrik, po përmendet si i dyshuari kryesor për rastin që ndodhi në Serbi, ku një zyrtar policor serb u vra dhe një tjetër u plagos. Rasti ka ndodhur pas mesnatës së të mërkurës në Loznicë të Serbisë, që gjendet afër kufirit me Bosnjën.

Si në filma, Faton Hajrizi i iku shtetit, u shfaq në rrjete sociale për rreth 2 javë dhe papritmas u zhduk. Largimi i tij nga TikTok-u, platformë kjo që u shfrytëzua nga ai për të dhënë edhe deklarata bombastike, pasoi me vrasjen e mbrëmshme, shkruan Gazeta Sinjali.

Ndonëse akoma nuk është konfirmuar se i dyshuari për vrasjen e policit serb është Faton Hajrizi, shumë pista janë hapur – teksa është i përfshirë në një formë indirekte edhe vëllai i tij, Artan Hajrizi.

Në vendin e krimit, autoritetet serbe njoftuan se e gjetën një pasaportë të lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajrizit – i lindur më 1991 – dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi. Por, ministri i Brendshëm serb, Daçiq tha se po vërtetohen faktet nëse personi të cilit i kanë mbetur dokumentet në veturë është realisht vëllai i Artan Hajrizit, i cili është arratisur nga një burg në Kosovë.

Artani u lajmërua dje në media dhe bëri të ditur se ndodhet në Gjermani – e nuk ka gisht në rastin ku është i përfshirë i vëllai. Këtë të fundit, ai e akuzoi për vjedhjen e pasaportës, duke u distancuar nga i njëjti publikisht.

Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, po ashtu njoftoi se policia ka arrestuar Mithat Haxhiqin nga Tutini në jugperëndim të Serbisë, i cili dyshohet se e ka vozitur të dyshuarin nga Presheva në drejtim të Lloznicës me veturë me targa të Tutinit.

Po ashtu, një person tjetër, sipas Daçiqit është është arrestuar në Bijeljina të Bosnje e Hercegovinës, lidhur me rastin.

Sipas tij, i arrestuari dyshohet se ka “transportuar vrasësin nga Presheva në Lloznicë”.

“Z. R. [1985] është arrestuar në Bijeljinë pasdite, në bashkëpunim me Policinë e Republikës Sërpska i cili dyshohet se ka organizuar transportin e vrasësit nga Presheva për në Lloznicë”, thuhet në një komunikatë për media.

Ndërkaq, në Mlladenoc të Serbisë është arrestuar edhe gruaja e tij, e dyshuar si bashkëpunëtore.

Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d