Minuset e thella, bora dhe akulli “paralizojnë” Evropën qendrore dhe veriore – paralajmërimet në fuqi për ata që udhëtojnë

 

 

Temperaturat thellësisht nën zero, bora dhe shiu i ngrirë përfshiu pjesën veriore dhe qendrore të Evropës dhe autoritetet këshilluan qytetarët të mos largoheshin nga shtëpitë e tyre, nëse nuk e kanë të domosdoshme.

Për shkak të motit jashtëzakonisht të ftohtë dhe reshjeve të borës, disa fluturime janë anuluar, dhe qarkullimi hekurudhor dhe rrugor është ngadalësuar.

Gjegjësisht, siç shkruan Euronews, zyrtarë në disa vende evropiane kanë këshilluar qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi për shkak të motit jashtëzakonisht të ftohtë, temperaturave të ulëta dhe borës që shkaktoi kaos në rrugë dhe ndërprerje të transportit publik. Dëbora e dendur dhe shiu i ftohtë goditi disa pjesë të Evropës veriore dhe qendrore të mërkurën mbrëma, duke bllokuar trafikun, duke shkaktuar kaos në rrugë dhe vonuar fluturimet në aeroportet e rajonit.

Disa aksidente trafiku kanë ndodhur në Danimarkë për shkak të erës së fortë dhe borës. Për shkak të motit, trafiku hekurudhor ka qenë i vështirë dhe policia këshillon të gjithë ata që nuk kanë nevojë të dalin të mos dalin nga shtëpitë e tyre.

Në kryeqytetin norvegjez Olso, për shkak të shikueshmërisë së dobët dhe borës së madhe, linjat e autobusëve u pezulluan. Moti i keq ka ndërprerë edhe qarkullimin rrugor, veçanërisht në të gjithë jugun e vendit, duke shkaktuar vonesa në qarkullimin hekurudhor.

Aeroporti u mbyll përkohësisht ditën e djeshme për shkak se bora e madhe uli dukshmërinë dhe avionët mbetën të bllokuar.

Në Francë, veçanërisht në zonat veriore, alarmi portokalli i motit mbetet në fuqi dhe autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve që të mos dalin në rrugë. Gjithashtu janë raportuar aksidente të shumta trafiku, si dhe është prekur edhe transporti publik. Të mërkurën, Meteo France paralajmëroi për një rritje të borës dhe shiut në pjesën më të madhe të verilindjes së vendit në ditët në vijim.

Pasagjerë të bllokuar në automjete

Qindra udhëtarë mbetën të bllokuar në automjetet e tyre në rrugët në shtetin qendror gjerman të Hesse pasi reshjet e borës mbuluan autostradën, duke çuar në bllokime trafiku dhe linja automjetesh që shtriheshin për milje. Policia nuk ka mundur të vlerësojë përmasat e kaosit të shkaktuar nga bora dhe për sa kohë do të jenë të bllokuara autostradat, raportoi e përjavshmja “Bild”.

Në shtetin federal të Turingisë, përveç borës, në rrugë ka pasur edhe akull, për këtë arsye një numër i madh kamionistësh kanë shtyrë udhëtimet e tyre. Shërbimi Meteorologjik Gjerman (DVD) pret më shumë borë dhe paralajmëron se shoferët nga rajonet Eifel dhe Këln mbi malet Rotar deri në Turingi duhet të përgatiten për “reshje bore të vazhdueshme dhe ndonjëherë të dendura”.

Në Gjermani, rreth 700 fluturime u anuluan për shkak të kushteve ekstreme të motit në Aeroportin e Frankfurtit, qendra ajrore më e ngarkuar e vendit. Zyrtarët e aeroportit thanë se ekzistonte rreziku i ngrirjes së sërishme të akullit për avionët që shkonin drejt pistës.

Reshjet e dendura të borës dhe shiu i ngrirë shkaktuan gjithashtu vonesa dhe anulime në aeroportet e tjera gjermane.

Shiu  që ra ë Gjermaninë perëndimore dhe jugore shkaktoi aksidente të shumta trafiku në rrugët me akull.

Si masë paraprake, shumë shkolla dhe kopshte mbyllen gjatë ditës dhe disa kompani u kanë ofruar punonjësve të tyre mundësinë për të punuar nga shtëpia.

Moti i ftohtë do të vazhdojë edhe në ditët në vijim

Një tjetër natë e ftohtë u regjistrua në Britaninë e Madhe, me temperatura në pjesën më të madhe të vendit nën zero, dhe Zyra Metologjike lëshoi ​​paralajmërime për borë dhe akull në të gjithë vendin.

Paralajmërimet për udhëtime janë në fuqi në të gjithë Skocinë dhe Ministrja e Transportit e Skocisë, Fiona Hislop, ka paralajmëruar qytetarët që të planifikojnë udhëtimet e tyre paraprakisht për shkak të motit të ashpër dhe të marrin parasysh vonesat e mundshme.

Hekurudhat britanike paralajmëruan gjithashtu se mund të ketë vonesa në nisjet e trenave për shkak të motit të keq, ndërsa shumë operatorë hekurudhor kanë raportuar tashmë vonesa.

Ndonëse temperatura gjatë natës nuk ka arritur minimumin e parashikuar prej minus 18 gradë Celsius, pritet që moti i ftohtë të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Britania e Madhe ka pasur natën më të ftohtë të këtij dimri deri më tani të martën dhe të mërkurën, kur një temperaturë prej -14 gradë Celsius është regjistruar në Dalhviny, në malësitë skoceze. /Reporteri.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d