Ministrja Haxhiu anuloi kundërligjshëm emërimin e tyre – nuk zbaton vendimin e Gjykatës

 

 

162 kandidatë për noterë kanë mbetur pa ushtruar profesionin e tyre që nga viti 2019. Ata kishin qenë kandidatë të procesit të hapur nga Ministria e Drejtësisë në muajin prill të vitit 2019, ku pas një procesi të ligjshëm dhe të drejtë, Komisioni Profesional për dhënien e provimit për Noterë me 12 korrik 2019, kishte shpallur listën përfundimtare për kandidatët të cilët e kanë kaluar provimin për Noterë, shkruan Gazeta Blic.

Mirëpo, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e kishte anuluar këtë proces kundërligjshëm, me Vendimin nr.15/2020, nr.prot.01-173, të datës 24.02.2020. Mbi 100 padi ishin ushtruar për anulim e këtij vendimi, në Gjykatën Themelore, ku Departamenti për Çështje Administrative i kësaj gjykate, me Aktgjykimin A.nr.529/2020, të datës 01 shkurt 2022, anuloi Vendimin e Ministrisë së Drejtësisë Nr.15/2020, nr.prot.01-173, të datës 24.02.2020, si të kundërligjshëm, ndërsa kishte vërtetuar procesin e provimit të noterisë si të ligjshëm dhe të drejtë.

Ky aktgjykim ka kthyer gjendjen e mëparshme dhe obligon Ministrinë e Drejtësisë që të vazhdonte procesin e mbetur, respektivisht emërimin e kandidatëve që kishin konkurruar dhe janë kandidatë potencial për emërim për noterë, bazuar në listën përfundimtare të komisionit për zgjedhjen e noterëve.

Dhe, pas këtij vendimi, në Ministri të Drejtësisë janë paraqitur mbi 100 ankesa për emërim, por që ata kanë hasur në kundërshtim nga ajo.

Duke qenë kështu, ata i kanë paraqitur kërkesat e tyre, por që sërish kanë hasur në një përgjigje jo ligjore nga MD.

Për shkak të kësaj situate që u gjenden kandidatët përballë Ministrisë së Drejtësisë, e cila nuk zbatoi vendimin e Gjykatës, ata ushtruan padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative, ku kanë kërkuar nga gjykata që të urdhërohet e paditura Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, që në afat prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit të nxjerr aktin administrativ – Vendimin për emërimin e Noterëve, në territorin e komunave përkatëse, sipas shpalljes së konkursit publik për Zgjedhjen e Noterëve të datës 23 korrik 2019 dhe listës me propozimet e kandidatëve të cilët i plotësojnë kushtet ligjore.

Pas verdiktit të Gjykatës, i cili e anulon vendimin e Ministres se Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si të kundërligjshëm, dhe e vërteton procesin e provimit si të ligjshëm dhe të drejtë, Ministria e Drejtësisë  në vend që të veprojë sipas aktgjykimeve të formës së prerë dhe të përmbarueshëm, me datë 01.11.2023, ka publikuar Shpalljen publike për dhënin e provimit të Noterisë, ku afati për aplikim është nga data 02 nëntor deri me datë 22 nëntor 2023 përkundër faktit se e njëjta edhe pse është e njohur me procesin e emërimit të kandidatëve i cili proces është ende aktiv dhe i papërfunduar dhe objekt shqyrtimi i padisë dhe i kërkesëpadisë, prapë se prapë Ministria e Drejtësisë ka hapur shpalljen publike për dhënin e provimit të Noterisë.

Andaj, Shpallja publike për dhënien e provimit për noterinë e datës 01.11.2023 nga Ministria e Drejtësisë cenon rëndë interesat e 162 noterëve të certifikuar të cilët nga viti 2019 përballen me pasojat e padrejtësive të shkaktuara nga MD kundër këtyre kandidatëve.

Pra, Ministria e Drejtësisë ka një konkurs të hapur në të cilin konkurs janë 162 kandidatë të certifikuar për noterë të cilët janë në pritje të realizimit të të drejtës së tyre të fituar tashmë edhe me vendim gjykate.

162 kandidatët kërkojnë që të dihet nga Ministria se pse po u mohohet e drejta e tyre, derisa dhe Gjykata u ka dhënë të drejtë dhe ai vendim nuk po zbatohet.

Lidhur me këtë çështje dhe çka pritet të ndodhë me 162 kandidatët për noterë, Gazeta  ka dërguar pyetje në Ministrinë e Drejtësisë, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk kanë kthyer përgjigje.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d