Shefja e diplomacisë gjermane, Annalene Baerbock, ka thënë sot se është fakt se demokracia më e re evropiane është pikërisht Kosova, e cila padyshim i përket Këshillit të Evropës.
Duke iu drejtuar Komitetit të Ministrave, Baerbock ka përsëritur fjalimin e saj në Bundestag në ceremoninë e shënimit të 75-vjetorit të formimit të Këshillit të Evropës dhe ka thënë se është fakt se demokracia më e re evropiane është pikërisht Kosova, e cila padyshim i përket Këshillit të Evropës.
“I bëj thirrje të gjithë të përfshirëve dhe veçanërisht atyre që janë përgjegjës në Kosovë, që të sigurojnë që të krijohen të gjitha kushtet sa më shpejt që të jetë e mundur për të marrë shumicën e nevojshme për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka thënë Baerbok, transmeton Paparaci.
Ndërsa ministri francez për Çështje Evropiane, Jean-Noël Barrot, ka thënë se Franca konsideron se Kosova e ka vendin në Këshillin e Evropës, por se është ende e nevojshme që Kosova të kalojë një rrugë të caktuar që të ndodhë anëtarësimi.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Komitetit të Ministrave, Barrot ka thënë se Franca është një nga anëtaret e Këshillit të Evropës që e njeh Kosovën dhe beson se Kosova duhet ta ketë vendin në Këshillin e Evropës, transmeton Paparaci.
“Megjithatë, Franca beson se në këtë kuptim Kosova ende duhet të kalojë një rrugë të caktuar dhe Franca, në fund të fundit, është në dispozicion për ta shoqërojë Kosovën në atë rrugë. Gjithashtu, Franca beson se në këtë fazë ekziston rreziku që çështja e Kosovës mund të shkaktojnë ndarje mes vendeve në Këshillin e Evropës dhe se kjo çështje duhet të shqyrtohet më vonë kur Kosova të kalojë rrugën që ne besojmë se duhet të kalojë”, ka thënë Barrot.