Policia e Kosovës, rreth një vit e gjysmë më parë kishte zbuluar 11 laboratorë të kultivimit të marihuanës në veri të Kosovës. Dhe siç raporton BIRN, policët që i kanë menaxhuar këto veprime pohojnë se personat që janë kapur në atë biznes ilegal kanë qenë të lidhur me Milan Radoiçiqin.
Ndryshe, bëhet fjalë për laboratorin e drogës në fshatin Izvor, që gjendet në mes të Leposaviqit dhe Zubin Potokut, pranë kufirit me Serbinë, ku thuhej se është zbuluar “ferma më e madhe e marihuanës në veri të Kosovës”.
Kujtojmë se në këtë laborator u gjetën mijëra kërcell kanabisi.
Ky thuhet të jetë laboratori më i pajisur për rritjen e marihuanës – ai kishte pajisjet më moderne, të cilat përfshinin një numër të madh kondicionerësh dhe filtra të veçantë që parandalojnë përhapjen e erës së marihuanës jashtë zonës ku ajo kultivohej.
Ndërkohë theksohet se “fidanishtja” në Izvor është një nga 11 vendet e zbuluara nga policia e Kosovës në një vit e gjysmë të fundit, njëra prej të cilave është zbuluar para se të kultivohej kanabisi atje.
Kjo është bërë e ditur për BIRN nga Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për veriun e Kosovës.
Siç është thënë më tej, në dy raste janë ngritur aktakuza, ndërsa për të tjerat hetimet janë ende në vazhdim.
Sipas Elshanit, një numër i madh i personave janë arrestuar, shumica serbë, disa nga Kosova dhe në një rast, 90 për qind e të përfshirëve ishin nga Serbia.
Siç ka bërë të ditur më tej ai, shumë prej tyre tashmë kishin kryer vepra kriminale në Serbi dhe shumë prej tyre u larguan në Serbi gjatë aksioneve të policisë së Kosovës.
Dhe çfarë bie në sy është fakti se grupet që janë përfshirë në këto aktivitete ilegale nuk kanë qenë të lidhura me njëra-tjetrën, por sipas Elshanit, të gjitha kanë qenë nën kontrollin e Milan Radoiçiqit, ndikimi i të cilit thonë se është reduktuar ndjeshëm pasi ka ikur në Serbi pas ngjarjeve në Banjskë, përcjell Telegrafi.
Ndërkohë, hulumtimi i BIRN tregoi se Radoiçiq është i lidhur me të paktën tre persona të cilët policia e Kosovës i dyshon për kultivimin e marihuanës.
“Këto laboratorë në veri të Kosovës kanë rreth dy vite që punojnë”, thotë Elshani.
Madje, siç supozohet më tej, dy prej tyre kanë punuar pa pengesa në një distancë prej më pak se 100 metra nga ndërtesa e gjykatës dhe policisë në Mitrovicën e Veriut.
Në hulumtimin e BIRN vihet në pah fakti se rritja e prodhimit të kanabisit në Kosovë ndodhi pasi fermat e marihuanës në Shqipëri – nga ku më pas kanabisi u transferua në Kosovë – u zbuluan në mënyrë të njëpasnjëshme dhe u pamundësuan operacionet e tyre, gjë që çoi në një rritje të çmimit të kanabisit, veçanërisht pas vitit 2019, sipas raportit të Iniciativës Globale për luftën kundër krimit të organizuar transnacional.
Dhe burime të mediumit, nga Kosova bëjnë të ditur se hapja e laboratorëve për kultivimin e marihuanës në veri të Kosovës ka filluar pas vitit 2020 dhe është intensifikuar në vitin 2021.
“Gjatë asaj periudhe, marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës ishin të acaruara për shkak të përpjekjeve të Prishtinës për të futur targat e Kosovës, të cilat rezultuan me ngritjen e barrikadave, protestave dhe përleshjeve në veri të Kosovës”.
“Përderisa beteja po bëhej për targa, dhe krerët e Listës Serbe – përfshirë edhe Milan Radoiçiq – u bënë thirrje bashkatdhetarëve të tyre që të refuzojnë riregjistrimin e automjeteve me targa të Kosovës, miliona euro janë investuar në pajisjen e zonave për kultivimin e marihuanës”, shkruan medumi në gjuhen serbe.