Barnat ilegale serbe po vazhdojnë të jenë pjesë e tregut farmaceutik kosovar.
Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, Inspektorati Farmaceutik i Kosovës ka ndëshkuar nëntë farmaci për shkelje të ligjit, pasi janë gjetur produkte medicinale me origjinë serbe në to. Në vitin 2023, ky inspektoriat kishte evidentuar 69 raste të tilla. Përveç kësaj, Dogana e Kosovës ka konfiskuar medikamente me origjinë serbe në vlerë mbi 116 mijë euro nga janari deri në qershor të vitit 2024.
Se barnat ilegale me origjinë serbe janë të pranishme në tregun farmaceutik kosovar e pohojnë edhe nga Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK).
Inspektoriati Farmaceutik i Kosovës ka njoftuar se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, janë shqiptuar gjithsej 76 gjoba. Në këtë periudhë, në 14 farmaci janë hasur produkte ilegale, nga të cilat 9 ishin me origjinë serbe. Gjithashtu, janë evidentuar 6 farmaci që ushtronin veprimtari të paligjshme me produkte farmaceutike, ku 4 prej tyre ndodhen në veri të Republikës së Kosovës.
Sipas të dhënave gjatë vitit 2023, janë zbuluar 20 raste të mos deklarimit të barnave me origjinë serbe në brezin kufitar dhe pikat e kalimit kufitar.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, ata kanë identifikuar 7 raste të ngjashme.
Dogana e Kosovës ka njoftuar se vlera e barnave me origjinë serbe të konfiskuara nga janari deri në qershor të këtij viti, është mbi 116 mijë euro, ndërsa gjatë gjithë vitit 2023, kjo vlerë ishte afërsisht 91 mijë euro.
Ndërkaq, zëvendëskryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Astrit Haxhijaha thotë se është një numër i konsiderueshëm i barnave ilegale në tregun farmaceutik të Kosovës.
Sipas tij, mos implementimi i ligjit për çmimin e barnave dhe udhëzimi administrativ pa paralele, janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në praninë e këtyre barnave nëpër farmaci.
Haxhijaha thekson se për shkak të udhëzimit administrativ pa paralele, Ministria e Shëndetësisë kufizon sasinë e një produkti, për çka pacientët detyrohen ta kërkojnë në mënyrë ilegale.