Shtatë prej grupe kriminale më të mëdha në Shqipëri, me shtrirje gjeografike në qytetet kryesore të vendit, janë goditur nga megaoperacioni i SPAK. Nga 50 urdherarreste janë ekzekutuar 14 në Shqipëri dhe 6 jashtë vendi, ndërsa 30 janë në kërkim! Gjatë kontrolleve në vilat e bosëve të krimit janë gjetur reth 3 mln euro cash si dhe flori e pasuri të tjera, në total 4.5 mln euro.
Shtatë grupe kriminale me shtrirje gjeografike në qytetet kryesore të Shqipërisë janë goditur nga SPAK në kuadër të megaoperacionit të nisur prej orëve të para të mëngjesit të 17 majit 2024.
Nga 50 urdherarreste janë ekzekutuar 20, 14 në Shqipëri dhe 6 jashtë konkretisht 2 në Itali, 1 ne Gjermani, 1 në Spanjë e 2 në Belgjikë, informoi sot SPAK. Prokuroria e Posaçme ka goditur grupin kriminal të Ervis Martinajt, i cili në aleancë me grupin e drejtuar nga ish deputeti i PS-se Arben Ndoka dhe bashkëpunëtor me grupin kriminal të Avdylajt në Durrës rekrutonin vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Gjithashtu kontaktuan Emiljano Shullazhin për realizimin e vrasjes se Durim Bamit.
Nga hetimi është evidentuar gjithashtu edhe përfshirja e ish Deputetit socialist Arben Ndoka, dhe katër punonjës policie, dy prej tyre në role drejtuese, gjatë vitit 2020. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Henerigert Mitri i cili organizonte lojrat e fatit në këtë qytet dhe me Shefin e Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve po këtë drejtori, Klodjan Shahini drejtonin kultivimin e kanabisit. Pjesë e grupeve kriminale ishin edhe dy efektivë të RENEA-s. Karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga këta veprime kriminale. Pjesëtarë të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri – tjetrit.
SPAK ka sekuestruar pasuri me vlerë të përafërt mbi 4,5 milion Euro mes tyre gati 3 milione euro jane para cash dhe valixhe me florinj e ora të shtrenjta dhe makiina të blinduara. Ndërkohë SPAK ka zbardhur 8 vrasje dhe vrasje të mbetura në tentativë.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të 4 procedimeve penale (Nr.59, të vitit 2022, i cili është bashkuar me procedimet penale Nr. 66, të vitit 2022, Nr. 33, të vitit 2024, dhe Nr. 50, të vitit 2024), ka evidentuar kryerjen e veprave penale të rënda nga 7 grupe të strukturuara kriminale me fuqi të konsiderueshme dhe me shtrirje gjeografike të aktivitetit të tyre kriminal në disa nga qytetet kryesore të vendit si Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen.
Në kuadër të procedimeve penale të mësipërme, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese holandeze, belge, franceze, gjermane, italiane, spanjolle dhe greke ka shtrirë hetimet edhe në këto shtete për anëtarët e dyshuar të këtyre grupeve kriminale të përfshirë në vepra penale të kryera në Shqipëri, si dhe në disa vende të tjera në Bashkimin Evropian.
Operacioni i Drejtuar nga SPAK dhe i dakortësuar me Europol më datë 17 maj 2024, zgjati për rreth 20 orë, ku u angazhuan afërsisht 30 hetues të BKH-së, forcat RENEA, Policia e Shtetit, si dhe Europol i cili caktoi një Oficer pranë SPAK për të mbështetur këtë Operacion. U kryen veprime hetimore në qytetet e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Shkodrës, Lezhës, Rrëshenit, Kurbinit, Fushë-Krujës dhe Krujës. Gjatë këtyre veprimeve hetimore u ushtruan kontrolle në rreth 50 ambiente banimi.
Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale pasuri me vlerë të përafërt mbi 4,5 milion Euro, ku përfshihen:
2996,760 Euro cash;
Sasi të konsiderueshme floriri dhe bizhuteri të shtrenjta;
Ora të markave të shtrenjta me një vlerë të përafërt prej 500.000 Euro;
Armë zjarri;
Targa të përshtatura automjetesh;
Automjete luksoze (nga të cilat 5 të blinduara me vlerë mbi 500,000 Euro);
Sisteme vrojtimi kamerash, tavolinë pokeri, etj.
Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.49, datë 15.05.2024, ka vendosur caktimin e masave të sigurisë personale “arrest në burg”, për 50 shtetas të dyshuar si autorë të kryerjes së veprave penale, konkretisht për shtetasit Leonard Duka; Erlis Duka; Astrit Avdylaj; Endrit Dokle; Arben Ndoka; Fatmir Hyseni; Albert Zaja; Armando Ndreca; Elvis Ndreca; Miri Bruli; Henerigert Mitri; Klodian Shahini; Altin Morina; Marklen Haka; Arjan Tuku; Denis Meta; Naim Stafuka; Samuel Ndoka; Aldo Avdylaj; Santilo Basho; Viktor Imeri; Ervis Doçi; Emiljano Shullazi; Ervis Martinaj; Edison Reçi; Fatmir Troplini; Ardjan Pikli; Tori Xheçuka; Durim Bami; Besjan Xhixha, I.N, J.K, B.A, O.Z, E.J, K.N, R.L, GJ.C, K.T, E.M, F.K, A.GJ, D.B, D.B, XH.RR, G.B, A.G, F.B dhe E.Z.
Nga këto urdhër arreste, 14 prej tyre janë ekzekutuar në Shqipëri dhe 6 jashtë vendit ku falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologë të tyre është bërë e mundur arrestimi i shtetasve shqiptarë në Itali (2 persona), Gjermani (1 person) dhe Spanjë (1) dhe Belgjikë (2).
Gjatë hetimeve intensive të kryera është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si më poshtë:
Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me paramendim të shtetasit Shkelzen Kastrati, ngjarje e ndodhur më datë 01.02.2021 në qytetin e Fierit;
Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen për gjakmarrje, të mbetur në tentativë, të shtetasit Preng Gjini dhe të shkatërrimit të pronës me eksploziv, e ndodhur më datë 15.09.2020, në qytetin e Tiranës;
Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me paramendim, të mbetur në tentativë, të shtetasit Durim Bamit, e ndodhur më datë 04.11.2020, në zonën e Krujës;
Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me dashje, të mbetur në tentativë, të shtetasit Enrik Metra, e ndodhur më datë 04.07.2020, në qytetin e Burrelit;
Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me dashje, të mbetur në tentativë, të shtetasit H.T. dhe shkatërrimit të pronës, e ndodhur më datë 18.05.2020, në fshatin Zenisht të Matit.
Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit Durim Bamit, gjatë vitit 2020;
Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit Preng Gjini, gjatë vitit 2020;
Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasve E.G, L.D dhe A.G, gjatë vitit 2020;
Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasve Fatmir Hyseni dhe A.H., gjatë vitit 2020;
Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit E.M, gjatë vitit 2020;
Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit A.N., gjatë vitit 2021;
Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasve Ervis Martinaj dhe Toni Xheçuka, gjatë vitit 2021;
Identifikimi i autorëve të dyshuar për një rast shitje bimësh narkotike canabis sativa, dhe trafikimi të lëndëve narkotike, në një vend kufitar me Republikën e Shqipërisë gjatë vitit 2020;
Identifikimi i autorëve të dyshuar për një rast dhënie ndihmë për kalim të pa ligjshëm të kufijve, në vitin 2020;
Identifikimi i autorëve të dyshuar për pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, në Republikën e Shqipërisë;
Identifikimi i autorëve të disa rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, gjatë viteve 2019-2020;
Identifikimi i autorëve të mbajtjes pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve, për disa raste kriminale, gjatë vitit 2020;
Identifikimi i autorëve të një rasti të organizimit ose ushtrimit të veprimtarive të lojërave të fatit, në kundërshtim me ligjin, gjatë vitit 2020;
Identifikimi i autorit të një rasti të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike;
Identifikimi i autorit të një rasti të shpërdorimit të detyrës, nga persona që ushtrojnë funksione publike;
Identifikimi i autorëve të një rasti të goditjes ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore;
Gjithashtu janë dokumentuar pasuri, të cilat janë produkt i kësaj veprimtarie kriminale.
Cilësojmë se, këto grupe kriminale dyshohet se kanë kryer veprat penale me pasoja të rënda të jetës dhe shëndetit, si edhe në drejtim të pasurisë. Disa nga veprat penale më serioze për të cilat këto grupe po hetohen janë: “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë e kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit atë të “Sigurimit të kushteve dhe të mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kultivimi i bimëve narkotikeve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, , “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurim i kushteve për kryerjen e vrasjes”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”etj.
Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga këta veprime kriminale. Pjesëtarë të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri – tjetrit.
Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga shtetasi Ervis Martinaj, i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga shtetasi Arben Ndoka. Këta dy grupe kriminale, për arritjen e qëllimit kriminal kanë kontaktuar anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit. Gjithashtu, të dy këto grupe kriminale kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Po kështu për të realizuar qëllimet kriminale Ervis Martinaj, kontakton shtetasin Viktor Imeri, i cili sapo kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim i kërkon vrasjen e shtetasit Fatmir Hyseni. Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, vijnë edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe A.Avdylaj, të cilët edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë Ervis Martinaj dhe Arben Ndoken, në realizimin e qëllimit kriminal që është vrasja e Durim Bamin etj.
Emiljano Shullazi kontakton me të hetuarin T.B, të cilit i kërkon vrasjen e Durim Bamit. Po kështu Emiljano Shullazi siguron informacione për lëvizjet e Durim Bamit. Dhe këto informacione i’a vë në dispozicion shtetasit Arben Ndoka.
Nga ana tjetër në zonën e Fushë Krujës spikat grupi kriminal i drejtuar nga shtetasi Durim Bami, i cili shfaqet në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga shtetasit Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka. Grupi kriminal i drejtuar nga Durim Bami, bën aleancë me një grup kundërshtar të shtetasit Ervis Martinaj dhe që drejtohet nga shtetasit Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e Ervis Martinajt dhe Arben Ndokes dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale.
Hetimet kanë evidentuar ekzistencën edhe të një grupi tjetër kriminal të drejtuar nga shtetasi Edison Reçi. Ky shtetas me qëllim hakmarrje ka organizuar vrasjen e shtetasit Preng Gjini, ku në datën 15.09.2020, ky i fundit ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e shpërthimit me eksploziv të automjetit me të cilin udhëtonte. Edison Reçi, ka rekrutuar si pjesë të grupit shtetasit E.D., B.Xh. etj., të cilëve ju kishte premtuar një shumë të konsiderueshme parash me qëllim vrasjen e shtetasit Preng Gjini.
Shtetasi Klodian Shahini, me detyrë me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë, Lezhë, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal ndihmonte shtetasin Edison Reçi, duke i dhënë informacion në lidhje me automjetet dhe hyrje-daljet e shtetasit Preng Gjini
Hetimi ka nxjerrë në pah se, këto grupe kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash me qëllim realizimin e vrasjes të kundërshtarëve të tyre. Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon gjithashtu një shkallë shumë të lartë organizimi dhe rrezikshmërie shoqërore.
Nga hetimi është evidentuar gjithashtu edhe përfshirja e një ish Deputeti, katër punonjës policie, dy prej tyre në role drejtuese, gjatë vitit 2020, përkatësisht:
– Ish Deputeti Arben Ndoka;
– Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Henerigert Mitri,
– Shefi i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në po këtë drejtori, me Klodjan Shahini
– 2 efektivë të Repartit Special RENEA, me iniciale Altin Morina dhe A.P.
Kështu është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi Henerigert Mitri, me detyrë drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shtetasin Klodjan Shahini dhe persona të tjerë, drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve, në qarkun e Lezhës.
Po ashtu i hetuari Henerigert Mitri, në bashkëpunim me shtetasin Preng Gjini, aktualisht i arrestuar për një procedim tjetër penal, organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës.
Në dinamikën e hetimit të këtij procedimi penal, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasi Durim Bami në bashkëpunim me shtetasin Altin Morinën (me detyrë efektiv i forcave “Renea” në kohën e kryerjes së krimit) kanë organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës.
7 grupet kriminale të shkatërruara
Ervis Martinaj Fushë-Kuqe
Arben Ndoka Lezhë
Emiljano Shullazi Durrës
Astrit Avdulaj Durrës
Durim Bami Fushë-Krujë
Duka-Hyseni Tiranë dhe Vlorë
Edison Reçi Rrëshen