Policia serbe ka arrestuar taksistin që dyshohet se ka transportuar të dyshuarin për vrasje të një polici serb dhe plagosjen e një tjetri.
Mediumi serb “Informer” ka zbuluar identitetin e tij.
“Policia ka arrestuar Mihat Haxhiqin nga Tutini, i cili dyshohet se e ka marrë të dyshuarin në një veturë me targa të Tutinit në Preshevë dhe ka vozitur në drejtim të Loznicës”, raporton ky medium.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, ka thënë se i dyshuari për vrasje nuk ishte regjistruar në ndonjë pikë kufitare.
“Policët tanë e vunë re makinën dhe dyshuan se çfarë po bënte makina e Tutinit në afërsi të kufirit me Bosnje-Hercegovinën. Gjatë identifikimit, i dyshuari ka nxjerrë një armë dhe ka qëlluar dy policë. Njëri prej tyre, i plagosur siç ishte, është përgjigjur me zjarr, por nuk ka mundur ta godasë”, ka thënë Daçiq, ndërsa ka shtuar se “i dyshuari për vrasjen dhe plagosjen e policëve nuk ishte i regjistruar në ‘vendkalimet administrative’ apo në kufi dhe duke qenë se është gjetur një letërnjoftim gjerman policia serbe ka kontaktuar me kolegët gjermanë dhe po kryhen kontrolle”.
Daçiq theksoi se ende po përcaktohet nëse “dokumentet e gjetura i përkasin të dyshuarit sepse ka dyshime se ai ka përdorur dokumentet personale të vëllait të tij”, duke iu referuar të arratisurit nga burgu i Kosovës, Faton Hajrizi.
Sipas Daçiqit, 150 pjesëtarë të MPB-së po marrin pjesë në kërkimin e të dyshuarit, duke përfshirë “policë të Xhandarmërisë, Njësisë së Helikopterëve, Njësisë Speciale Antiterroriste, Policisë Kufitare dhe Kriminale dhe Departamentit të Policisë së Shabacit”.