“Me kanë bile me i gjet e me i kthy në tokën e vet”, festa e pavarësisë në dhimbje për familjet e të pagjeturve

 

 

Ditët e Pavarësisë i festojnë, por mallin për më të dashurit sa shkon e rritet. Familjarë të të pagjeturve në Gjakovë tregojnë si ndihen nëpër festa.

Më poshtë rrëfimet e nënës Ferdonije Qerkezi, Afrim Dervishit e Arbër Malotës.

“Unë si nënë e katër djemve dhe bashkëshortit Halimit, ju uroj pavarësinë gjithë shqiptarëve të Kosovës dhe kudo që janë nëpër botë, ju uroj pavarësinë e gëzofshin me të mira”.

Ky urimi prekës i Ferdonije Qerkezit, nënës së Gjakovës e cila në themelet e lirisë së Kosovës ka gjakun e bashkëshortit dhe katër djemve të saj, dy prej të cilëve ende nuk janë gjetur.

Ndjenja i rëndohen Qerkezit për ata që nuk janë në mesin tonë në ditët festive siç është përvjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

“Ma rëndë e përjetoj datën kur mi kanë marrë edhe për fest që jemi gëzu kur e kem pritur me bashkëshortin, djemtë. Sikur t’ishin kanë ata o kanë ma gëzim. Me kanë bile me i gjetë edhe ata me i pru në tokën e vet, t’Gjakovës t’Kosovës edhe krejt djemtë e nanave që i kanë të zhduke fëmijët e burrat me i pru n’venin e vet e me i varros siç e kemi adet”, thotë Ferdonije Qerkezi.

Të pagjeturit vazhdojnë të jenë plagë e hapur edhe për shumë familje të tjera, sidomos gjatë festave dhe përvjetorëve në nderim të tyre.

“Normalisht është një plagë e hapur e cila e rëndon familjen tonë sikurse shumë familje tjera, sepse janë mbi 20 që janë ende të pagjetur, mirëpo duhet të ballafaqohemi me fatin dhe çdo përvjetor çdo festë vijmë këtu familjarisht me nipa, me mbesa, me vëllezër dhe motra dhe e mbajmë gjallë kujtimin me shpresën që edhe ai një ditë do të prehet në tokën e atdheut të vet. Që do të thotë çdo pikë e gjakut të tyre është në themelet e lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë”, thotë Afrim Dervishi, familjar.

“Kur jemi në 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës nuk mund të mos e kujtojmë kontributin e të rënëve të cilët dhanë gjithçka për lirinë e vendit. Kjo ditë duhet të jetë ditë kur duhet të kujtojmë mundin dhe sakrificën e heronjve, dëshmorëve, martirëve dhe secilit kontributdhënës për lirinë e vendit. Nëse jemi në Meje nuk mund të harrojmë se ky vend i ka borxh gjetjen e trupave që janë ende të zhdukur, që t’ua kthejnë familjarëve të tyre që ata të prehe në tokën e atdheut të vet”, thotë Arbër Malota, familjar dëshmori.

Sidoqoftë, zbardhja e fatit të të pagjeturve dhe ndëshkimi i ekzekutuesve për masakrat gjithandej Kosovës është ëndrra dhe kryefjala e familjarëve nëpër përvjetorë, por, edhe në ditët kur kemi festë./RTK/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d