Biseda me Miftar Mehmetin, minator në Trepçë, është e mbushur plot me emocione. I mbetur pa pagë që dy muaj, Mehmeti është në zgrip të jetës. Aktualisht, Miftari është pa të ardhura, me kredi e borxhe, me një fëmijë të sëmurë, që kërkon terapi mujore. Mbi të gjitha, Miftari është i thyer shpirtërisht.
Përkundër që bisedojmë përmes telefonit, është lehtë e rrokshme brenga e tij. Miftari tregon qartësisht se mungesa e pagës për dy muaj ia vështirëson jetën.
“Shumë e madhe është vështirësia pa rroga, pa ushqim, pa të ardhura. Dita-ditës, çdo ditë, ndihet mungesa. Unë përsonalisht po, kam hyrë në borxh. Me të thënë të drejtën, unë vetëm këtë pagë e kam. Gjysmë page, se jam në borxhe nëpër banka, vetëm këtë gjysmë page e pres. E kam çikën në terapi, çdo muaj duhet me çu në Prishtinë për kontrolla, për barna” – nis rrëfimin e tij Miftari, një nga punëtorët më të zëshëm në kërkim të së drejtës për minatorët.
Natyrisht, bash sikurse shumica e qytetarëve të Kosovës, edhe Miftari ka kredi. Tashmë banka e ka telefonuar atë, pasi Miftari, ish-ushtar i UÇK-së, s’ka arritur që ta paguajë këstin e muajit të kaluar.
“Po, më kanë thirrë bankat prej qendrës, prej Prishtinës. Gjithkujt që nuk ia paguan borxhin, normal që të thërret, interesohet për borxh të vet. Është gjë normale kjo. Është shkak i mosekzekutimit të pagave nga ana e Qeverisë dhe drejtorit të Trepçës” – tregon Miftari për Nacionalen.
Në rrëfimin e tij, minatori shqiptar nga Mitrovica e Veriut e përmend edhe vajzën e sëmurë, barnat e së cilës i ka blerë me borxhe.
“Valla, v’lla, problem, ilaçet e çikës edhe me pare gjenden me vështirësi të madhe, duhet dorë pas dore me ia porositë dy-tri javë përpara, edhe kur t’i marrësh, nuk janë sasi e madhe, për një javë. Janë bajagi të rralla këto barna” – thotë ai.
Në një thirrje disi të dëshpëruar, Miftari kërkon që “urgjent” t’i paguhet “djersa” e dy muajve. Madje, Miftari thotë se i ka ardhur “shpirti në fyt”. Me pak vëmendje, lodhja shpirtërore e Miftarit kuptohet mes fjalëve të ashpra dhe paralajmërimit kundrejt Qeverisë së Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
“Kam një apel për Qeverinë. Urgjent o vëlla, urgjent o vëlla, urgjent o vëlla, qitnaj djersën tonë, paren tonë, se i morën në qafë fëmijtë tanë, familjet tona. Përndryshe, unë personalisht e kam nijet me marrë familjen tem, edhe me ia çu para Qeverisë. Jo fjalë, po keni me pa çka ka me u bë aty me ta, deri sa të më vrasin. Pashë Zotin që e qet këtë incizim, mos e ndërprej, si vëllait po të lutem. Po ta jap besën e Zotit që ke me pa çka ka me u bo aty, kë ta nxa. Ndash le ta merr kërcënim, ndash le ta merr si të dojnë, ndash le të vijnë, le të më arrestojnë tash, këtu. Ka me e marr familjen, edhe nuk dal prej Qeverisë, jo mem arrestu, po kanë me m’vra, se me m’lidhë s’ka me arrit kërkush. Më ka ardhë shpirti në fyt, o dashamir! Në tri luftëra jam kanë, pesëmbëdhjetë vite e gjysmë jam kanë në UÇK, Preshevë e Maqedoni, veç nuk ma kanë bo betejat, as serbi, çka është duke ma bë kjo ngjarje” – theksoi minatori i Trepçës.
Përkundër hatërmbetjes me kryeministrin Kurti, Miftari është i përmbajtur karshi shtetit të Kosovës, i cili tashmë i ka borxh dy paga.
“Unë personalisht dhe punëtorët e minierës, që i kam kolegë, që i njoh ata dhe moralin e tyre. Çdokund në botë, jo dy muaj ditë që s’kemi marrë paga, por vetëm një datë të vetme me i shty, ia bojkotojnë punën, nuk shkojnë hiç në punë, ose bëjnë protesta të mëdha, sikur rasti në Francë, që e dogjën shtetin për do përqindje për pensione. Por ne nuk jemi si ata, ne jemi me ndërtu e me rujtë shtetin, jo me djeg. Ama ky kryeministri jonë e ka tepru vallahi! Pasha Zotin me neve minatorët, e ka tepru! 14 – 15 mijë shpirtra është duke i marrë në qafë. Ky në një farë mënyre po na thotë “vdisni, vdisni, nuk jam ngushtë për juve”. Ma morë vëlla, se kemi jetë, borxhe deri në fyt, jemi me të sëmurë në shpi, jemi pa idare” – thotë Mehmeti, i cili dyshon se ka një politikë për shkatërrimin e mëtutjeshëm të “Trepçës”.
Deri më tani, kryeministri Kurti, i cili po qëndron që disa ditë në Paris për Lojërat Olimpike, nuk ka folur fare për këtë çështje, ndërsa Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka ftuar në një takim minatorët për shkak të situatës së rëndë të krijuar në këtë gjigant të dikurshëm të Kosovë.