Me “dyfish më shtrenjtë”, Kosova trumbeton inflacion të ulët

 

 

“Ngritje pa kontroll e çmimeve”, “Çmimi i bukës në rritje”, “Çmimet e patundshmërive shkojnë në qiell”. Këta janë disa nga titujt që mund të lexoheshin shpesh në mediat në vend, sidomos nga fillimi i vitit 2022 e këndej.

Atëkohë, Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës dhe konflikti mes tyre – që të dyja eksportuese të mëdha të produkteve në botë – shkaktoi rritje të inflacionit – apo të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve – gjetiu.

Kosova, si vend importues i shumicës së produkteve, nuk mbeti e paprekur.Vitin 2022 e mbylli me normë mesatare të inflacionit rreth 12 për qind. Më 2023 dhe këtë vit, inflacioni shkoi duke rënë në numra njëshifrorë, por jo edhe çmimet e shërbimeve dhe të produkteve të konsumit.

REL-i publikoi një tabelë krahasuese të inflacionit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së e Eurozonës.Shifrat e siguruara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, e nxorën vendin me inflacionin më të ulët në gusht – 1.4 për qind – që është më pak se edhe mesatarja e BE-së, edhe e Eurozonës.

Për krahasim, inflacioni në gushtin e vitit 2023 ishte 3.2 për qind.Autoritetet e Kosovës i trumbetuan shifrat si sukses të tyrin.

Por çka mendojnë disa qytetarë në Prishtinë për çmimet në treg?

Për njërin prej tyre, inflacioni është shumë më i lartë se shifra e ASK-së prej 1.4%.

“Këtë e shohim në furnizimet e përditshme, në ushqime, në veshmbathje… Nëse i krahasojmë ushqimet, për shembull – tash është sezoni kur ne kemi qejf të konservojmë turshi – [çmimet] janë dyfish më të larta se vitin e kaluar”.

“Jam duke shpenzuar dyfish më shumë në disa produkte të caktuara, krahasuar me shumën që kam shpenzuar para një viti”, ka thënë një punonjëse.

“Merr qumësht, varësisht prej llojit, ke ngritje goxha të madhe të çmimit. Ujin kur duhet ta blesh, apo të gjitha produktet që nuk bën pa to… ato të higjienës… e vërej që kanë ngritje të madhe [çmimesh]”, shtoi ajo.

Ndërsa një qytetar tjetër thotë se produktet ushqimore janë shumë më shtrenjtë, krahasuar me vitin e kaluar.

“Mund të them se çfarë kemi blerë më herët me 200 euro – harxhin mujor – sot nuk mund ta marrësh ndoshta as me 300 euro. Jetesa jonë është shtrenjtuar dhe nëse nuk dimë ta menaxhojmë paranë, e kemi problem ta lidhim muajin me muaj”, raporton Radio Evropa e Lirë.

Paga mesatare në Kosovë është rreth 520 euro, ndërsa minimalja nga 1 tetori pritet të jetë 350 euro.

E pandryshuar nga viti 2011, vlera e minimales aktualisht është 130-170 euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d