“Poliklinika “MEDICAL CENTER” në Drenas është mbyllur nga Inspektorati Shëndetësor. Siç ka mësuar gazeta mjeku i kësaj klinike nuk kishte licencë punë. Doktori Fahredin Shala që nga viti 2022 edhe pse nuk kishte licencë po ushtronte profesionin. Me rastin është duke u marrë edhe prokurori i OMK-së.
Në redaksinë e Gazetës kanë arritur disa ankesa nga qytetarë të Drenasit. Ata ishin të shqetësuar për mbylljen e “Poliklinika “MEDICAL CENTER” pasi kishin qenë edhe pacientë aty.
“Fëmijë e pleq jemi kontrolluar aty, jemi të shqetësuar se çka ka ndodh”, tha një qytetar.
Lidhur me këtë Insajderi ka kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë, në përgjigjen e tyre konfirmohet mbyllja e poliklinikës.
Teksa thuhet se e njëjta do qëndroj mbyllur deri në plotësimin e kushteve.
“Ju informojmë se Inspektorati Shëndetësor ka inspektuar Poliklinikën ”Medical Center” në Drenas dhe të njëjtës i është ndaluar ushtrimi i veprimtarisë shëndetësore deri në plotësim të kushteve, sipas UA 09/2014 dhe UA 02/2023“, thuhet në përgjigje.
A kishte punuar doktori pa licencë?
Doktori Fahredin Shala që është pjesë e “Poliklinika “MEDICAL CENTER” nuk ka licencë.
Nga Oda e Mjekëve i thanë Gazetës Insajderi se Shalës i kishte skaduar licenca që nga viti 2022 dhe i njëjti ishte njoftuar për këtë por që nuk kishte aplikuar për procedurën e ri-licencimit.
“Ju njoftojmë se Dr. Fahredin Shala është anëtar i OMK-së, dhe ka poseduar licencën valide Doktor i Mjekësisë deri me datë 21.11.2022. Administrata e OMK-së e ka njoftuar për të kryer procedurën e ri-licencimit 30 ditë para skadimit të të njëjtës, dhe doktori në fjalë deri më sot nuk ka aplikuar për procedurën e ri-licencimit”, thuhet në përgjigjen e dhënë për Insajderin.
Tutje theksohet me rastin është duke u marrë prokurori i OMK-së.
“Lidhur me rastin jemi njoftuar nga Inspektorati Shëndetësor i MSH-së, dhe menjëherë pas pranimit të informatës, lënda i është adresuar Prokurorit të OMK-së, për zhvilimin e hetimeve të mëtutjeshme ex-officio“, konfirmuan nga Oda e Mjekëve.
Nga “Poliklinika “MEDICAL CENTER” mohuan se janë mbyllur nga Inspektorati Shëndetësor. Por, kur iu tregua konfirmimi nga Ministria e Shëndetësisë ata ndryshuan përgjigjen duke thënë se “kemi qëndruar të mbyllur vetëm një ditë.
Çfarë shërbime kryente “Poliklinika “MEDICAL CENTER”?
Poliklinika “MEDICAL CENTER” ndodhet në Drenas dhe kishte ofruar këto sherbime:
1. Kirurgji e pergjithshme vaskulare
2. Urologji
3. Mjekesi familjare
4. Dhenie te infuzioneve
5. Dhenie te injeksioneve
6. Lidhje dhe pastrim
Në pyetjet e Gazetës Insajderi se çfarë ka ndodhur me doktorin Fahredin Shala dhe se a është duke vazhduar punën nga kjo poliklinikë refuzuan të përgjigjen.
“Pyeteni doktorin për këtë“, u përgjigjen ata.
Por, doktori nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me rastin. Njëjtë vepruan edhe nga Komuna e Drenasit duke mos dhënë informacione.