Mashtrimet me patentë shofer: Tre pronarë të autoshkollave dyshohet se rekrutuan kandidatë dhe falsifikuan dokumente

 

 

Një hetim i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka zbuluar dallaveret me patentë shoferë në rajonin e Pejës, ku janë të përfshirë edhe zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës. Operacioni policor që u zhvillua sot në 10 lokacione në rajonin e Pejës dhe të Prishtinës rezultoi me arrestimin e 7 prej tyre, teksa akoma nuk është kompletuar grupi i dyshuar për keqpërdorime.

Në mesin e të dyshuarve është edhe pronari i autoshkollës “Vosa” në Deçan, Denis Tafilaj dhe zyrtari nga zyra rajonale në Pejë, për dhënien e patentë shoferëve, Ahmet Shala.

Ndërsa tre të dyshuar të tjerë, pronarë të autoshkollave kanë rekrutuar kandidatë dhe kanë falsifikuar dokumente që të njëjtit t’i nënshtrohen testit për patentë shofer.

“Dyshohet se testet janë plotësuar në emër të kandidatëve nga ana e zyrtarëve të njësisë së patentë shoferëve në Pejë dhe të njëjtat në mënyrë të kundërligjshme janë futur në sistem nga ana e zyrtarit të IT-së. Po ashtu tre të dyshuar pronarë të auto shkollave dyshohet se kanë rekrutuar kandidatë dhe kanë siguruar dokumentacion duke falsifikuar dokumentet e nevojshme, me qëllim të futjes së tyre në provim.”

Sipas Policisë, personat e dyshuar, gjashtë prej tyre persona zyrtarë nga departamenti i patentë shoferëve, Ministria e Infrastrukturës, “duke bashkëvepruar dyshohet se kanë vepruar jashtë rregulloreve dhe udhëzimeve të Ministrisë, duke organizuar provime për marrjen e patentë shoferëve jashtë orarit zyrtar të punës dhe duke përdorur metodën e testimeve në formë fizike” – në shpërfillje të formës zyrtare elektronike.

Gjatë operacionit policor të bastisjes janë sekuestruar 7800 euro, gjashtë telefona mobilë, si dhe materiale të ndryshme lidhur me testime të kandidatëve.

“Lidhur me rastin personat e dyshuar janë intervistuar në prezencën e avokatëve të tyre mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të lëndës, 6 prej tyre iu është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve dhe një person i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt për shkaqe shëndetësore. Për tre nga të dyshuarit e përfshirë në rast të cilët nuk janë hasur, Policia e Kosovës do të ndërmarrë veprime të nevojshme për sigurimin e prezencës së tyre.”

Gazeta do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d