Masat e BE-së në fuqi, Kurti: Jemi ndëshkuar padrejtësisht, presioni të jetë në Beograd

 

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova ka bërë çka është dashur që Bashkimi Evropian të heqë masat ndëshkuese të vendosura rreth një vit më parë.

Kreu i ekzekutivit theksoi se këto masa i janë vendosur vendit tonë padrejtësisht, dhe se sipas tij, presioni duhet të jetë mbi Beogradin.

“Kjo nuk varet prej neve, krejt çka varet prej neve tashmë ka ndodhur. Ne u patëm ndëshkuar padrejtësisht. Ndodhi deeskalimi por më pastaj edhe rieeskalimi në shtator të vitit të kaluar. Tash gjendja sërish ka deeskaluar. A do të rieeskalojë, adresa është në Beograd dhe presioni duhet të jetë aty. Mendoj se heqja e këtyre masave që po vonohet ka të bëjë me dinamikat e brendshme në BE, sidomos me zgjedhjet që pritet të mbahen”, tha Kurti.

Javën e kaluar, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka paralajmëruar se shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell është duke përgatituar një raport për Kosovën për heqjen apo jo të masave ndëshkuese.

Në konferencën e javës së kaluar, Stano tha se në këtë raport do të përfshihen edhe zhvillimet e fundit, përfshirë këtu mbylljen e pikave ilegale të bankave serbe në vend dhe aksionin e Policisë së Kosovës për konfiskimin e dinarëve.

“Masat janë vendosur si përgjigje e hapave të pakoordinuar e të njëanshëm që dërgojnë drejtë eskalimit të mëtejmë, dhe nuk ndihmojnë në deeskalim. Ato ishin vendosur me qëllimin që të motivojnë autoritetet kosovare që të punojnë drejt deeskalimit, kështu që sigurisht gjithçka që po ndodh në terren dhe ka ndikim negativ në përpjekjet për deeskalim, po merret parasysh dhe përfshihet në raport”, ka thënë Stano të martën.

Kosova po kërkon heqjen e masave të vendosur nga blloku evropian pas organizimit të votimit për largimin e kryetarëve në veri, që ishte një nga kërkesat e BE-së.

Nisma për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave në veri të Kosovës dështoi pasi nuk u arrit numri i mjaftueshëm i votave pas bojkotimit nga serbët.

Vetëm disa qindra qytetarë serbë, nga rreth 45 mijë me të drejtë vote, morën pjesë në referendumin në katër komunat në veri të Kosovës që për synim kishte largimin e kryetarëve shqiptarë.

Nga Bashkimi Evropian vlerësuan se rezultati i votimit në veri nuk i kontribuon shtensionimit të situatës.

Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.

Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.

Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d