Maqedonci nga Varshava: Kemi informacione se Serbia po përgatit sulme tjera ndaj Kosovës

 

 

Ministri i Mbrojtes, Ejup Maqedonci, nga Varshava e Polonisë ku po qëndron për samitin “Defence24 Days” ka thënë se kanë informacione që ka përgatitje për sulme të mëtejshme të Serbisë ndaj Kosovës, dhe se situata aktualisht vazhdon të jetë e brishtë.

Ministri Maqedonci ka theksuar se edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti si dhe ministrat e tjerë që derisa grupi i Radoiçiqit që ka realizuar sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, vazhdon të jetë i lirë, kanë informacione që vazhdojnë përgatitjet për sulme të mëtejshme e normalisht ai thotë se situata në veri është e cënueshme.

“Kemi normalisht edhe informacione që vazhdon edhe të përgatitet për sulme të mëtejshme dhe situata e sigurisë megjithëse është e qetë aktualisht vazhdon të jetë e brishtë. Janë tregues të një situate fragjile jo vetëm në Kosovë po në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimorë një situatë e cila edhe mund të eskalojë dhe gjithë këto veprime mund edhe të sjellin situatë të ndryshme duke mos e përjashtuar edhe një luftë. Është thënë nga kryeministri shumë herë por edhe nga ministrat e tjerë të fushave përkatëse që përderisa grupi i Radojiçiqit që ka realizuar sulmin terrorist në veri të vendit, me synim kapjen e një pjese të territorit të vendit vazhdon të jetë i lirë në Serbi dhe kemi normalisht edhe informacione që vazhdon të përgatitet për sulme të mëtejshme por gjithashtu me eksponentët e tyre në katër komunat veriore të vendit, normalisht që situata në veri të vendit është e cënueshme dhe duke i shtuar kësaj edhe militarizimin e Serbisë dhe 48 bazat operacionale të vendosura përgjatë vijës kufitare me Kosovën, të gjitha këto kur kanë një bazament që është politik. Unë vlerësoj personalisht por edhe gjithë Qeveria që situata e sigurisë megjithëse është e qetë aktualisht, vazhdon të jetë e fragjile pra e brishtë. Dhe derisa nga këto grupe nuk kërkohet llogari as në Serbi, ne normalisht që mund të ballafaqohemi me sulme të tilla siç ishte rasti i 24 shtatorit, megjithatë është për t’u theksuar se Policia e Kosovës gjatë gjithë kësaj kohe ka bërë një punë të jashtëzakonshme në vendosjen e kontrollit, rendit dhe ligjit në pjesën veriore të vendit”, ka thënë Maqedonci për TV1.

Poashtu, Maqedonci ka thënë se Kosova është e gatshme të ballafaqohet me çdo sfidë, e në bashkëpunim me KFOR-in janë të aftë të menaxhojnë çdo sfidë.

“Ne në vazhdimësi përgatitemi për të qenë të aftë dhe të gatshëm të ballafaqohemi me çdo sfidë dhe situatë të tillë. Dhe normalisht në bashkëpunim edhe me prezencën ushtarake ndërkombëtare përmes misionit të KFOR-it, në Republikën e Kosovës ne jemi të aftë të menaxhojmë çdo situatë. Dhe jemi të aftë të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të vendit tonë”, ka thënë tutje Maqedonci.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d