MAPL shkeli Ligjin e Prokurimit, shpalli fituesit e ndërtimit milionësh të shtëpive për të kthyerit në veri

 

 

Republika e Kosovës në vazhdimësi është ballafaquar me shpërnguljen e shtetasve të saj të komunitetit joshumicë, sidomos gjatë dekadave të fundit. Qeveria ka hartuar politika për t’iu mundësuar këtyre shtetasve kthim në vendlindje. Ministria për Kthim dhe Komunitete është institucioni kryesor që zhvillon dhe menaxhon programe dhe mekanizma për të ndihmuar integrimin dhe kthimin e qëndrueshëm të të shpërngulurve dhe refugjatëve. Por, në vitin 2023, ndërtimin e shtëpive për të kthyerit e ka marrë përsipër Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në nëntor të vitit 2023 ka shpallur thirrje publike për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve pakicë në komunat Mitrovicë Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Për financimin e kësaj thirrjeje janë ndarë 1,000,000.00 euro.

MAPL-ja ka përzgjedhur familjet që do t’ua ndërtojë dhe rinovojë shtëpitë, si dhe ka bërë përzgjedhjen e kompanive që do të kryejnë punimet. Demokracia.com ka gjetur se ministria ka bërë shmangie nga Ligji i Prokurimit Publik në këtë rast, duke përzedhur disa kompani punëkryese.

Emrat e kompanive përfituese janë publikuar vetëm në një listë në faqen e ministrisë dhe jo edhe në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP). Në fakt, për këtë në KRPP as që ka pasur një thirrje të tillë të hapur.

Lista e Operatorëve Ekonomikë (OE) të parakualifikuar:

  1. BASHKIMI Com SHPK
  2. Letaj Bau SHPK
  3. Shkëmbi Audit SHPK
  4. RIZA OSMANI B.I
  5. 7 Vëllezrit Ceraja
  6. Beni Com SHPK
  7. FIDOLA SHPK
  8. NARTEL Ex-In SHPK

“MAPL, ka pranuar shprehje të interesit lidhur me këtë thirrje dhe ka parakualifikuar si OE të mundshëm të gjithë aplikantët që i kanë plotësuar kushtet e përcaktuara për ndërtimin e shtëpive, sipas thirrjes publike të ministrisë për ndërtimin e shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve pakicë në komunat Mitrovicë Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok”, thuhet në këtë dokument, që e ka parë gazeta, por nuk dihet se cilat kanë qenë kushtet apo si është bërë kjo përzgjedhje dhe kush kanë qenë operatorët e tjerë garues, pasi që në faqen e ministrisë nuk ka informata më shumë.

“Përfituesit e subvencioneve për ndërtimin e shtëpive mund të orientohen tek OE të parakualifikuar, për lidhjen e marrëveshjes për ndërtimin e shtëpive. Mirëpo, ministria nuk i obligon përfituesit të lidhin marrëveshje vetëm me këta OE. Përfituesit janë të lirë të vendosin marrëveshje bashkëpunimi me secilin OE tjetër, që i plotëson kushtet e përcaktuara nga ana e jonë si financues të ndërtimit të shtëpive”, thuhet tutje në këtë dokument, përcjell Demokracia.com.

Ndërkohë, më 20 dhjetor janë shpallur edhe emrat e qytetarëve fitues. Janë 21 përfitues, por MAPL-ja ka treguar jotransparencë duke ua fshehur emrat atyre. Publikimi është bërë vetëm më anë të disa shifrave.

“Me qëllim të transparencës së plotë në këtë proces, para shpalljes së përfituesve për ndërtimin e shtëpive në komunat Mitrovicë Veriore, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, sipas thirrjes së shpallur nga MAPL, më datë 9.12.2023 është bërë verifikimi në terren nga Komisioni për Vlerësim të Aplikacioneve të Pranuar nga thirrja publike për ndërtimin e shtëpive për pjesëtarët e komunitetit joshumicë lidhur më atë nëse përfituesit potencial janë duke jetuar në lokacionet përkatëse, ku kanë dëshmuar sipas aplikacionit dhe deklaratës nën betim, si dhe kanë kushte jo të mira banimi”, thuhet në konkursin përzgjedhës.

 

Auditori kishte gjetur shkelje në kontratat e mëparshme

Zyra Kombëtare e Auditimit ka audituar kontratat për ndërtimin e shtëpive për periudhën 2017-2022, në vlerë prej mbi 8.2 milionë euro. Ministria gjatë kësaj periudhe kishte nënshkruar dy kontrata për ndërtimin e shtëpive, ku kishte planifikuar dhe kontraktuar të ndërtojë nga 150 shtëpi me secilën kontratë. Këto kontrata kishin kohëzgjatje trivjeçare secila dhe me kontratën e parë janë ndërtuar 157 shtëpi dhe 26 shtëpi me kontratën e dytë (për periudhën 2.4 vjeçare). Auditimi i publikuar në korrik të 2023 përfshin vlerësimin e nevojave, përcaktimin e vlerës së parashikuar të kontratës, arritjen e ekonomisë gjatë kontraktimit dhe ndërtimit të shtëpive dhe efikasitetin në përmbushjen e këtyre kontratave.

Auditori kishte gjetur mospërputhje të planeve të ndërtimit dhe pozicioneve të kontraktuara e të realizuara.

“Ministria kishte ndërtuar shtëpi jashtë planit të përcaktuar në projektin kryesor, duke ndërtuar edhe shtëpi të cilat në dukje kanë specifika tjera. Ndërtimet e tilla pa marrë miratimin nga projektuesi rrezikojnë që shtëpitë mos të ndërtohen sipas standardeve dhe potencialisht të mos jenë të cilësisë së duhur. Kishte dallime të konsiderueshme ndërmjet pozicioneve të kontraktuara për ndërtimin e shtëpive dhe pozicioneve që aktualisht ishin përdorur gjatë ndërtimit të shtëpive. Kjo mospërputhje tregon mungesën e mekanizmave efektivë të menaxhimit dhe kontrollit të projektit e po ashtu vë në dyshim saktësinë e planifikimit fillestar të ministrisë”, kishte shkruar ZKA në raport.

Auditimi tregon se progresi i ministrisë në përmbushjen e kontratës së dytë për ndërtimin e shtëpive ishte dukshëm më i ngadalshëm sesa ishte planifikuar. Me këtë kontratë ishte planifikuar që brenda tri viteve të ndërtoheshin 150 shtëpi, ndërsa për 29 muaj (2.4 vite) ishin ndërtuar vetëm 26 shtëpi. Ky ritëm i ngadaltë i ndërtimit tregon joefikasitet të mundshëm në menaxhimin e projektit, shpërndarjen e burimeve ose aspekte të tjera operacionale. Për kontratën e parë ishin planifikuar të ndërtohen 150 shtëpi, ndërsa janë ndërtuar 157 sosh brenda periudhës trivjeçare.

Tutje ZKA kishte konstatuar se ministria nuk ishte ekonomike në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit, sepse nuk kishte bërë vlerësim të duhur të nevojave, si në aspektin e pozicioneve të nevojshme, ashtu edhe në numrin e shtëpive që do të ndërtohen. Për më tepër, ministria nuk ka kryer hulumtimin e duhur të çmimeve të tregut dhe nuk ka arritur të përcaktojë vlerën e parashikuar të kontratës në mënyrë të duhur.

Po ashtu, sipas auditorit, ministria nuk ka bërë analizë të mirëfilltë të vlerës së parashikuar të kontratës e që për pasojë kishte eliminimin e konkurrencës. Vlera e parashikuar në dy rastet ishte më e lartë se vlera e kontratës për 25% në kontratën e parë dhe 16% në kontratën e dytë. Mangësi kishte edhe menaxhimi i kontratave, sepse nuk ka plane dinamike për secilën shtëpi dhe ndryshimet në pozicione nuk evidentohen. Nuk ishin respektuar as afatet kohore për tender, ashtu siç janë të përcaktuara me udhëzuesin e prokurimit publik, pasi ishte aplikuar vlerë e pasaktë e sigurisë së tenderit dhe nuk ishin ndërmarrë masa për t’u siguruar që konzorciumet janë valide edhe pas shuarjes së statusit të disa nga anëtarëve të tyre në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës.

Bazuar në çështjet e identifikuara më lartë, çështjet që kanë të bëjnë me ndërtimin e shtëpive për të kthyerit, ZKA ka kërkuar përmirësim të menjëhershëm, andaj ka dhënë 13 rekomandime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d