Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë ka njoftuar se Manastiri i Deçanit ka regjistruar në emër të tij 24 hektarë tokë në Kadastrën Qendrore të Kosovës, raporton Gazeta Prishtina Sot.
Në një komunikatë për media thuhet se është zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016 dhe Manastiri edhe në kadastër njihet si pronar i tokës së kontestuar më herët.
“Në bazë të ekstraktit kadastral mund të konfirmojmë që është zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016 dhe Manastiri edhe në kadastër njihet si pronar i tokës së kontestuar më herët. Me këtë ne mundemi konkludojmë se procesi i kahershëm ligjor që është zhvilluar rreth 24 hektarëve tokë të Manastirit t Deçanit më në fund është zgjidhur”, thuhet në njoftim më 20 mars.
Kujtojmë se pak ditë më parë, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka njoftuar se ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale që të transferojë 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit.
Ndryshe, bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht i kishte kërkuar Kosovës që të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me 24 hektarët tokë të Manastirit të Deçanit.