“Mami e shikonte filmin”, axha i Glauk Konjufcës fajëson nënat për rezultatin e dobët në PISA

 

 

Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022. Ndaj këtij rezultati të dobët të nxënësve kosovar ka reaguar edhe axha i kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, Rabit Konjufca.

Konjufca ka dalë me një konkluzion se kush është “fajtori”, për rezultatin e dobët në PISA.

Sipas tij, faji është i nënave.

“E pyeti mësuesja nxënësin, pse nuk i ke bërë detyrat? Mësuesi i tregova mamit që kam me i bërë detyrat, por mami e shikonte filmin”, shkroi ai në Facebook.

Theksojmë se Rabit Konjufca, mban edhe postin e këshilltarit në Ministrinë e Mbrojtjes. Kosova në testimin e fundit për vitin 2022 ka dalë dobët në vlerësim dhe më dobët se rezultati i vitit 2018. Në lexim, në matematikë e shkencë Kosova ka zënë pjesën e fundit të tabelës.

Për matematikë, Kosova renditet në vendin e shtatë prej fundit të listës, me 355 pikë, apo krahasuar me vitin 2018, 11 pikë më pak. Në shkencë, Kosova renditet e katërta prej fundit, me 357 pikë, apo tetë pikë më keq sesa në vitin 2018.

Sa i përket leximit, Kosova po ashtu zë fundin e tabelës, me 342 pikë apo 11 pikë më pak se në vitin 2018.

Për këto rezultate, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se kanë qenë të pritshme. Tha se, ky cikël i testimit është organizuar në periudhën menjëherë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me shumë vështirësi në Kosovë.

“Në testin PISA 2022, nga Kosova kanë marr pjesë gjithsej 6 mijë 27 nxënës nga 229 shkolla. Rezultatet të cilat janë bërë publike sot kanë qenë të pritshme, duke pasur parasysh se në këtë cikël të testimit që u organizua në pranverë të vitit 2022, kemi pasur një situatë menjëherë pas pandemisë kur mësimi u zhvillua me vështirësi të madha nga distanca dhe me ndërprerje”, ka thënë Nagavci të martën para gazetarëve.

“Ka qenë e pritshme edhe nga raportet vendore por edhe nga studimet e ndryshme ndërkombëtare, është konstatuar se për shkak të situatës së pandemisë nxënësit kanë pësuar rënie në të nxënë dhe këto janë dëshmuar në testime të ndryshme”, deklaroi ministrja./PrishtinaSot/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d