Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se të hënën do të thërras seancë të jashtëzakonshme, për anulimin e shkëmbimit të pronave në Badoc.
LVV në njoftimin e bërë për media ka ftuar edhe subjektet tjera politike të bashkohen në këtë nismë.
“Lëvizja VETËVENDOSJE!, do thërras sërish nesër seancë të jashtëzakonshme, për anulimin e shkëmbimit të pronave në Badoc, e cila do të mbahet të enjten. Ftojmë të gjitha subjektet politike të bashkohen në këtë nismë jetike për mbrojtjen e pronës publike. Është koha për veprime konkrete e jo fjalë. Andaj duhet të veprojmë sa më parë”, thuhet mes tjerash në reagim.
Ndryshe, ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), i ka dërguar një letër Komunës së Prishtinës, përmes së cilës ka kërkuar që vendimi për këmbim të pronës komunale me pronën private të rishqyrtohet dhe të harmonizohet në pajtim me legjislacionin në fuqi. Sipas ministrisë, kjo duhet të bëhet brenda afatit prej 30 ditësh.
Në letrën që Besim Myrtezani, U.d Udhëheqës i Departamentit Ligjor dhe Monitorimit të Komunave në MAPL, i ka dërguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe kryesuesit të Kuvendit Komunal, Pëllumb Bajçinovci, thuhet se “nuk mund të merret vendim për këmbimin e pronave pa u shfuqizuar vendimi për këmbimin e pronave i datës 14.06.2021”.
“Prona e paluajtshme e komunës mund të këmbehet vetëm për sigurimin e pronës për qëllim të përmbushjes së interesit publik, në përputhje me kompetencat ligjore të nivelit të qeverisjes lokale. Kuvendi i Komunës, është kompetent të vendosë se cili është interesi publik në komunën përkatëse”, thuhet mes tjerash në letër.
Kujtojmë se më herët është raportuar se me propozim të ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kaluar vendimi për dhënien e pronës rreth 7-hektarëshe në “Prishtina e Re” biznesmenit Rrahman Haradini, në këmbim të rreth 10 hektarëve që i kishte në pronësi në Badoc.
Mbi bazën e këtij vendimi, edhe kryetari aktual Rama e ka nënshkruar kontratën me ish-klientin e tij.