Lladrovci pret në takim imamin Prof. Dr. Tahir Kukaj: Krenar me angazhimin e tij fetar e atdhetar!

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur në takim, Prof. Dr. Tahir Kukajn, imamin përgjegjës i Departamentit të Studimeve Islame në Shkollën Islame në Nju Jork, njëherësh familjar i tij.

Angazhimi dhe përkushtimi i Dajës Tahir për harmoninë fetare, mirëkuptimin, paqen, solidaritetin dhe atdhetarizmi më kanë bërë çdo herë krenar dhe isha i lumtur për arritjet e tij dhe komunitetit shqiptar në Amerikë, ka deklaruar Lladrovci.

Postimi i plotë i tij:

Kam qenë i nderuar për të pritur në takim, Imamin përgjegjës i Departamentit të Studimeve Islame në Shkollën Islame në Nju Jork, Prof. dr. Tahir Kukajn, një nga 100 personalitetet më me ndikim në komunitetin e pjesës lindore të Amerikës. Në takim, ishte edhe Kryeimami i Bashkësisë Islame në Drenas, Valon Beçuku dhe imami Shpëtim Avdyli.

Mysafiri i çmuar, Daja Tahir, për mbi dy dekada ka ndërtuar reputacion shembullor brenda institucioneve të niveleve të ndryshme të shtetit të Nju Jorkut me ligjërimet e dijet e tij të thella për fenë islame, ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe miqësisë midis komuniteteve të ndryshme në Staten Island dhe më gjerë, njëherësh është promovues i madh i Kosovës dhe kombit tonë në Amerikë.

U njoftova nga Daja Tahir për arritjet e tij në Amerikë, për ligjëratat në universitete të ndryshme kundër racizmit, antisemitizmit, ksenofobisë, islamofobisë dhe urrejtjes në të gjitha format. Ai mbështet anëtarët e komunitetit duke dëshmuar ndërgjegje të lartë për misionin e tij si imam e profesor, si shqiptar dhe si atdhetar. Është i njohur për qëndrimin se urrejtja është një sëmundje, duhet trajtuar me kujdes para se të na shkatërrojë të gjithëve.

Ai ka ardhur në vendlindje pas 20 vitesh dhe ishte tepër i lumtur me arritjet dhe ndryshimet që ka hasur në çdo hap nga zbritja në aeroport dhe gjithandej Kosovës.

Dajën e njoftova me arritjet e komunës së Drenasit, njëherësh i theksova edhe sfidat e qeverisjes lokale, duke marrë përgjegjësi për të punuar dhe për ta përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve tanë.

Angazhimi dhe përkushtimi i Dajës Tahir për harmoninë fetare, mirëkuptimin, paqen, solidaritetin dhe atdhetarizmi më kanë bërë çdo herë krenar dhe isha i lumtur për arritjet e tij dhe komunitetit shqiptar në Amerikë. I urova jetë të gjatë dhe suksese në misionin e tij duke e përgëzuar që të vazhdojë të na bëjë krenar në Amerikë dhe kudo në botë.

Në fund të takimit, me kënaqësi ia dhurova librin e Bedri Islamit, “Përjetësia e dyfishtë”, kushtuar heroit e heroinës, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci dhe një punim të Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave. Faleminderit Dajë!

https://www.facebook.com/share/CbARgdhV828MrCr2/?mibextid=WC7FNe

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d